Perez nënshkruan kontratë të re me Barcelonën

  • 27 September 2019 - 15:44
Perez nënshkruan kontratë të re me Barcelonën

Barcelona dhe futbollisti Carles Perez kanë arritur marrëveshje për ta vazhduar kontratën e lojtarit edhe për dy sezone të tjera, deri më 30 qershor të vitit 2022.

Rinovimi i kontratës së Carles Perezit u bë të hënën në zyrat e klubit, në prezencë të disa zyrtarëve të klubit dhe përfaqësuesve të lojtarit, mirëpo klubi katalonas e bëri të ditur këtë lajm vetëm sot.

Gjashtë ndeshje një gol në ligë me ekipin e parë

Perez e bëri debutimin e tij me ekipin e parë të Barcelonës në xhiron e fundit të La Ligës sezonin e kaluar, kundër Eibarit në Ipurua.

Futbollisti nga Granollers, afër Barcelonës, hyri në lojë në minutën e 73-të të ndeshjes, duke e zëvendësuar Malcomin, për t’u bërë lojtari i tetë që debuton për ekipin e parë nga akademia atë sezon.

Që nga ai moment, paraqitjet e Perezit për ekipin e parë të Barcelonës janë rritur. Këtë sezon, 21-vjeçari ka luajtur në gjashtë ndeshje të La Ligës, si dhe e ka shënuar golin e tij të parë për skuadrën katalonase, me golin e tij në fitoren me rezultat 5:2 kundër Real Betisit në Camp Nou.

Për shkak të lëndimeve të Lionel Messit, Luis Suarezit dhe Ousmane Dembeles, Perezi ka qenë titullar edhe në ndeshjet kundër Osasunas, Valencias dhe Granadas, ku, përkundër që ishte mbresëlënës, mbeti nën hijen e 16-vjeçarit Ansumanne Fati.

(Kosova Sot Online)