Shkëndija për fitore në Çair, por kundërshtar është Qatip Osmani

  • 27 September 2019 - 20:43
Shkëndija për fitore në Çair, por kundërshtar është Qatip Osmani

Shkëndija e Tetovës luan të shtunën kundër Shkupit në Çair në duelin e xhiros së 8-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Kuqezinjtë kërkojnë të vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive, pas tre fitoreve të njëpasnjëshme në kampionat, madje pa pësuar gol.

Ekipi kuqezi është para një testi interesant në këtë transfertë të parë nën drejtimin e Erhan Selimit, nëse përjashtojmë sfidën me Renovën, ku Shkëndija luajti në cilësi të mysafirit. Gjithsesi, në mesjavë, skuadra barazoi 2-2 në transfertën me Vardarin në takimin e parë të 1/8 së finales së Kupës, ku kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë shumë pozitive. 

Kundër Shkupit do të ketë mungesa të rëndësishme në formacion. Pasi humbën takimin me Vardarin, sërish mungojnë Bejtullai dhe Zahov. Mbrojtësi Egzon Bejtullai nuk është rikuperuar pas dëmtimit të pësuar në sfidën me Struga Trim&Lum. E njejta situatë edhe me portierin Zahov, që ankohet në dëmtim të kofshës së këmbës. Edhe pse luajti me Vardarin, sërish shqetësime ndjen mbrojtësi i majtë Zija Merxhani, kurse jashtë formacionit mbetet edhe Gledi Mici për shkak të pezullimit pas kartonit të kuq.

FC Shkupi ka patur luhatje në start, teksa në 7 ndeshje numëron 2 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje. Në tri sfidat e fundit skuadra nga Çairi nuk njeh sukses, pasi u mund në shtëpi nga Vardari dhe barazoi jashtë pa gola me Akademinë Pandev në kampionat, kurse në mesjavë në Kupë nuk shkoi përtej barazimit 0-0 me Sileksin. Interesant fakti që trajneri i ri i Shkupit, Qatip Osmani, për herë të parë do të sfidojë kuqezinjtë, që i drejtoi me sukses për dy sezone.

Dueli Shkupi-Shkëndija luhet këtë të shtunën në stadiumin e Çairit me fillim në orën 15:00.

(Kosova Sot Online)