Derbi i Madridit mbyllet pa fitues, Realit i mjafton pika e fituar për ta mbajtur kreun e ligës

  • 28 shtator 2019 - 22:59
Derbi i Madridit mbyllet pa fitues, Realit i mjafton pika e fituar për ta mbajtur kreun e ligës

Real Madridi dhe Atletico Madridi u ndanë me barazim pa gola në ndeshjen e zhvilluar sonte në stadiumin “Wanda Metropolitano”, në kuadër të xhiros së shtatë të sezonit të ri të La Ligës.

Derbi i Madridit nuk e shpalli asnjërën skuadër triumfuese, përkundër që të dyja skuadrat tentuan të dalin krenare nga kjo përballje. Megjithatë, pika e fituar nga kjo ndeshje i mjafton Real Madridit për ta mbajtur kreun e ligës.

Zinedine Zidane do të ketë qenë më i kënaquri nga dy trajnerët pas pjesës së parë, pasi që skuadra e tij luajti më mirë në 45 minutat e parë, veçanërisht në repartin e sulmit.

Megjithatë, dy ndër rastet më të mira të pjesës së parë i pati 19-vjeçari Joao Felix i Atletico Madridit, i cili u tregua i pasaktë në të dyja rastet para portës së mbrojtur nga Thibaut Courtois. Ndërkohë, Real Madridi u detyrua të tentojë vetëm nga largësia – si në rastin e Toni Kroosit, goditjen e së cilës e mbrojti në mënyrë mbresëlënëse Jan Oblaku.

Edhe pjesa e dytë e ndeshjes vazhdoi me të njëjtën rrjedhë, pasi që Real Madridi dominoi me posedim të topit dhe me goditje drejt portës e sërish rasti më i mirë i ndeshjes i takoi skuadrës së Diego Simeones, që sërish s’arriti ta shfrytëzojë atë.

Gjatë gjithë ndeshjet, Courtois nuk u detyrua ta bëjë asnjë pritje, pasi që Atletico nuk e pati asnjë goditje brenda kuadratit të portës, në krahasim me tri të mysafirëve, Real Madridit.

Pika e fituar nga ky derbi i mjafton Real Madridit për ta mbajtur kreun e tabelës së La Ligës, me 15 fituara nga shtatë ndeshjet e para (katër fitore, tri barazime dhe asnjë humbje). Në anën tjetër, Atletico Madridi radhitet në vendin e tretë, me 14 pikë të fituara.

Që të dyja klubet madrilene do ta vazhdojnë rrugëtimin në Ligën e Kampionëve në mesjavë – Atletico Madridi me ndeshjen kundër Lokomotivin e Moskës, ndërsa Real Madridi me atë Club Brugge. 


(Kosova Sot Online)