FFK-ja e denoncon në polici shitjen ilegale të fanellave të Kosovës

  • 30 September 2019 - 11:08
FFK-ja e denoncon në polici shitjen ilegale të fanellave të Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka denoncuar në polici dyqanet online për, siç thotë, shitjen e jashtëligjshme të fanellave të ekipit kombëtar të Kosovës.

FFK-ja i ka akuzuar dyqanet online për falsifikimin dhe shitjen e fanellave të Kombëtares pa autorizim, duke bërë thirrje që ato të blihen në dyqanin zyrtar të kompanisë e cila i prodhon ato me autorizim të saj, raporton Gazeta Express.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se ka denoncuar në polici shitjen ilegale të fanellave të Kombëtares së Kosovës nga dyqane online në rrjetet sociale, siç është rasti i fundit me “’RK’ Sport Shop”. FFK sqaron opinionin se falsifikimi i tillë nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë dhe të gjithë ata që do të bëjnë shitjen e tillë të fanellave do të paraqiten në prokurorinë e shtetit dhe në agjencinë e të drejtave autoriale dhe do të dënohen sipas ligjeve në fuqi të Kosovës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Image

Të interesuarit për fanellën e Kombëtares verdhekaltër mund ta blejnë atë vetëm online në uebsajtin zyrtar të sponsorit të Kosovës, Fourteen, për një çmim rreth 60-70 euro.

FFK-ja ende nuk ka dyqan zyrtar në Kosovës për shitjen e fanellave të Kombëtares, por organi qeverisës i futbollit në vend ka këmbëngulur se është duke punuar për ta hapur një të tillë.

“FFK-ja është duke bërë punuar në hapjen e dyqaneve zyrtare edhe në Kosovë për shitjen e fanellave të Kombëtares, për çka opinioni do të njoftohet me kohë”. 

(Kosova Sot Online)