Eto’o kujton fjalët që ia tha Vieiras për Messin në vitin 2005

  • 30 September 2019 - 12:47
Eto’o kujton fjalët që ia tha Vieiras për Messin në vitin 2005

Ka kaluar shumë kohë prej se nisi rrugëtimi i Lionel Messit drejt suksesit, ndërsa Samuel Eto’o ishte ndër të parët që e vërejti potencialin e tij.

Sulmuesi kamerunas ka pasur mundësinë të luajë me superyllin argjentinas te Barcelona që nga fillet e tij deri kur u largua nga Camp Nou në vitin 2009 dhe nënshkroi për Interin.

Prandaj, kur 37-vjeçari kishte biseduar me Patrick Vieiran në lidhje me Messin, nuk kishte bërë shaka. Duke folur për dokumentarin “Take the Ball, Pass the Ball”, Eto’o e ka kujtuar çfarë i kishte thënë Vieiras (që asokohe luante për Juventusin) para ndeshjes për Trofeun Joan Gamper të viti 2005.

“Një ditë do të duket sikur secili lojtar që ka qenë para Messit, ka luajtur një sport tjetër”, ishin fjalët e kamerunasit, transmeton The Guardian.

Të mëdha ishin edhe fjalët e trajnerit të atëhershëm të Juves, Fabio Capello, pas asaj përballjeje (citon Goal): “Në gjithë jetën time, asnjëherë nuk kam parë një lojtar me cilësi dhe personalitet të tillë në moshë aq të re, sidomos duke bartur fanellën e rëndë të një prej klubeve më të mëdha në botë”.

(Kosova Sot Online)