Ndeshja me Malin e Zi si finale për Kosovës, sipas Ujkanit dhe Nuhiut

  • 08 tetor 2019 - 22:06
Ndeshja me Malin e Zi si finale për Kosovës, sipas Ujkanit dhe Nuhiut

Ndeshja kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi do të jetë sikur një finale për Kosovën, sipas dy futbollistëve dardanë, kapitenit Samir Ujkani dhe Atdhe Nuhiut.

Duke folur të martën mbrëma në një konferencë për media, portieri Ujkani dhe sulmuesi Nuhiu e theksuan rëndësinë e madhe që ka për Kosovën takimi i së hënës me Malin e Zi në Prishtinë.

Kosova do t’i vazhdojë përpjekjet për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian në tentimin e saj të parë, pasi më 14 tetor do të jetë nikoqire e Malit të Zi në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

Por, para përballjes me Malin e Zi, Kombëtarja dardane do ta luajë një ndeshje miqësore, po ashtu në kryeqytet, kundër Gjibraltarit këtë të enjte pasdite.

“Besoj që jemi në gjendje të mirë. Jemi grumbulluar dhe po përgatitemi për ndeshjen me Malin e Zi, që është si një finale për ne. Por fillimisht të enjten e kemi Gjibraltarin, që është një test i mirë para kësaj ndeshjeje të madhe. Jemi optimistë për të vazhduar me ritmin e duhur. Ka ardhur koha që të provohen edhe lojtarët që nuk kanë luajtur shumë, pasi kemi mjaftueshëm lojtarë në ekip dhe të gjithë duan të tregojnë se janë të gatshëm. Për ne çdo ndeshje është si finale dhe nuk duhet të shikojmë shumë tabelën. Duhet të provojmë të fitojmë dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë deri në fund”, ka theksuar Ujkani.

Pas pesë xhirove, Kosova gjendet në vendin e tretë, por me shanse shumë të mira për ta arritur kualifikimin, sepse ngel vetëm një pikë prapa Republikës së Çekisë, e cila pozicionohet në vendin e dytë, i cili dërgon direkt në Euro 2020. Anglia, ndërkohë, është lidere e Grupit A me gjasa shumë të mëdha për ta fituar atë.

Sulmuesi Nuhiu, i cili po kalon formë të mirë me skuadrën e tij Sheffield Ëednesday në Championship, e sheh ndeshjen miqësore me Gjibraltarin si test për kualifikuesen me Malin e Zi.

“Po shpresojmë të kemi rezultat të mirë edhe me Malin e Zi. Ndeshja ndaj Gjibraltarit është test dhe parapërgatitje për Malin e Zi. Në Podgoricë kemi treguar cilësitë tona, por Mali i Zi ka ekip të fortë. Gjithsesi ne luajmë në shtëpi ku e kemi përkrahjen e madhe të shikuesve. Do të futemi me mentalitet fituesi dhe duam të marrim pikët e plota. Edhe ndaj Malit të Zi do të luajmë me filozofinë dhe mentalitetin që e kishim deri më tash”, ka thënë Nuhiu.

(Kosova Sot Online)