Gratë e yjeve angleze në luftë: Coleen Rooney e akuzon Rebekah Vardyn për spiunim

  • 09 October 2019 - 17:18
Gratë e yjeve angleze në luftë: Coleen Rooney e akuzon Rebekah Vardyn për spiunim

Coleen Rooney, bashkëshortja e yllit të D.C. United Ëayne Rooney, e ka akuzuar Rebekah Vardyn, gruan e sulmuesit të Leicester City dhe Anglisë Jamie, se i ka dërguar tabloidit britanik “The Sun” informata nga llogaria e saj private në Instagram.

Coleen Rooney i kishte bllokuar të gjitha llogaritë, përvec njërës, nga shikimi i llogarisë së vet, në përpjekje për ta zbuluar se kush po i shiste informacione tabloidit britanik nga llogaria e saj private.

Ajo shkroi të mërkurën se, përmes punës së saj si detektive, e ka zbuluar se ekziston vetëm një person që ka mundur t’i ketë dhënë informacione private të saj gazetës Sun.

“Në muajt e fundit e kam postuar një varg tregimesh të rreme për të parë nëse ato do të shiteshin në gazetën Sun. Dhe e dini çfarë? Ato u shiten! Storia për përzgjedhjen gjinore në Meksikë, ajo për rikthimin në TV dhe më e fundit për vërshimet në bodrumin e shtëpisë sime të re”, shkroi ajo.

“Ka qenë e vështirë ta mbaj në vete këtë dhe të mos komentoj, duke ditur që informacionet private më janë vjedhur, por m’u desh ta bëja. Tani e di sigurt se nga cila llogari/individual janë vjedhur”, shtoi ajo.

“I kam ruajtur dhe fotografuar të gjitha storiet origjinale të cilat tregojnë qartë se vetëm një person i ka parë ato: llogaria e… Rebekah Vardy”, theksoi ajo.

Në një reagim, Vardy ka thënë se ajo kurrë nuk ka folur me gazetarët për Rooney, edhe pse shumë prej e kishin thirrur.

Ajo madje sugjeroi se fjalëkalimi i llogarisë së saj në Instagram mund të jetë vjedhur: “Nëse keni menduar se kjo ka mundur të të ndodhte ty, keni mundur të më tregonit dhe unë mund t’ia kisha ndryshuar fjalëkalimin llogarisë sime për ta parë nëse kjo do të ndalej”. 

(Kosova Sot Online)