Sulmuesi me prejardhje nga Kosova shkëlqen për Gjermaninë

  • 12 October 2019 - 19:02
Sulmuesi me prejardhje nga Kosova shkëlqen për Gjermaninë

Leon Dajaku shkëlqeu me dy gola në fitoren bindëse të Gjermanisë U-19 kundër Bjellorusisë, duke i përmirësuar kështu gjasat për kualifikim në Kampionatin Evropian U-19.

Gjermania arriti të sigurojë fitore me rezultat 9:2 në ndeshjen që u zhvillua sot kundër Bjellorusisë, në kuadër të xhiros së dytë të Grupit të 3-të të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.

Në këtë ndeshje shkëlqeu futbollisti i talentuar, me prejardhje nga Kosova, Leon Dajaku, i cili luan për ekipin e dytë të Bayern Munichut në ligën e nivelit të tretë të futbollit në Gjermani.

Dajaku shënoi në këtë ndeshje në minutën e 39-të dhe të 66-të të ndeshjes për 4:0 dhe 5:1, përderisa Kevin Schade arriti të shënojë het-trik.

18-vjeçari ka qenë duke shkëlqyer për ekipin e dytë të Bayernit, duke arritur t’i shënojë dy gola dhe t’i regjistrojë dy asiste në dy ndeshjet e fundit të klubit gjerman.

Gjermania radhitet e para në Grupin 3 për EURO, me dy fitore nga dy ndeshjet e zhvilluara, ndërsa ndiqet nga pas nga Skocia, që ka siguruar një fitore dhe një barazim nga ndeshjet deri më tani.

Të martën, Gjermania U-19 do të përballet pikërisht me Skocinë në rrugëtimin drejt kualifikimeve për Kampionatin Evropian për Kombëtaret U-19. 

(Kosova Sot Online)