Mediumi malazias: Ishim gjah i lehtë për Kosovën

  • 15 October 2019 - 09:58
Mediumi malazias: Ishim gjah i lehtë për Kosovën

E përditshmja malaziase, Mondo.me, vlerësoi se Kosova e mori një fitore të merituar mbrëmë në “Fadil Vokrri” kundër Malit të Zi, që sipas Mondos, ishte gjah i lehtë për skuadrën vendase.

Kosova arriti ta sigurojë mbrëmë një fitore shumë të rëndësishme me rezultat 2:0 kundër Malit të Zi për ëndrrat për kualifikim në Kampionatin Evropian, që do të zhvillohen verën e vitit të ardhshëm.

Djemtë e Bernard Challandes arritën ta gjejnë golin e parë qysh në minutën e dhjetë të ndeshje, përmes Amir Rrrahmanit, e atë të dytën në minutën e 34-të, përmes Vedat Muriqit.

Megjithatë, statistikat e ndeshjes tregojnë për një dominim edhe më të madh të Kosovës. “Dardanët” i krijuan katër raste shumë të mira për të shënuar, përderisa malaziasit asnjë.

“Skifterët në Prishtinë ishin gjah i lehtë për skuadrën vendase, veçanërisht në pjesën e parë të ndeshjes, kur u vendos fituesi: Kosova – Mali i Zi 2:0!”, shkruan Mondo.me

“Fillimi i çuditshëm i skuadrës tonë në këtë ndeshje dhe gabimet në atë fillim rezultuan të jenë përcaktuese për duelin në “Fadil Vokrri”. Fundi i ndeshjes u shënua nga incidente të lojës së ashpër nga të dy palët dhe gjyqtari u detyrua të ndëshkojë lojtarë të dyja skuadrave me kartonë të verdhë”.

Pas kësaj fitoreje të rëndësishme, Kosovën e presin dy ndeshje të vështira në muajin nëntor – ajo kundër Çekisë si mysafire dhe pastaj në “Fadil Vokrri” kundër Anglisë. Këto do të jenë dy ndeshjet e fundit të Grupit A.

Por, edhe nëse Kosova s’arrin të radhitet në dy vendet e para të Grupit A, ajo e ka një mundësi tjetër për t’u kualifikuar – përmes play-offs kualifikues. Në gjysmëfinale të play-offs, Kosova përballet me Maqedoninë, ndërsa në finale e pret ose Bjellorusia ose Gjeorgjia. 

(Kosova Sot Online)