Festa me daulle e lojtarëve të Kosovës pas fitores

  • 15 October 2019 - 10:56
Festa me daulle e lojtarëve të Kosovës pas fitores

Pas fitores së rëndësishme me rezultat 2:0 kundër Malit të Zi, lojtarët e Kosovës u pritën jashtë nga disa persona me daulle për ta vazhduar festën. Djemtë e Bernard Challandes kanë publikuar pamje nga kjo festë në llogaritë e tyre në Instagram.

Kosova arriti ta sigurojë mbrëmë një fitore shumë të rëndësishme kundër Malit të Zi për ëndrrat për kualifikim në Kampionatin Evropian, që do të zhvillohen verën e vitit të ardhshëm.

Djemtë e Bernard Challandes arritën ta gjejnë golin e parë qysh në minutën e dhjetë të ndeshje, përmes Amir Rrrahmanit, e atë të dytën në minutën e 34-të, përmes Vedat Muriqit.

Megjithatë, statistikat e ndeshjes tregojnë për një dominim edhe më të madh të Kosovës. “Dardanët” i krijuan katër raste shumë të mira për të shënuar, përderisa malaziasit asnjë.

Pasi gjyqtari e sinjalizoi fundin e ndeshjes, futbollistët e Kosovës u sillën rreth stadiumit “Fadil Vokrri” duke i duartrokitur tifozët e zëshëm e asaj nate, mirëpo u ndalën për një kohë më të gjatë te qoshja e “Dardanëve”.

E videot e mëposhtme tregojnë se festa vazhdoi edhe pasi lojtarët u larguan nga fusha e “Fadil Vokrri”. Në postimet e lojtarëve të Kosovës në Instagram, si Mërgim Vojvodës, Leart Paqaradës, Fidan Alitit e Idriz Vocës, shihet festa me daulle.

Pas kësaj fitoreje të rëndësishme, Kosovën e presin dy ndeshje të vështira në muajin nëntor – ajo kundër Çekisë si mysafire dhe pastaj në “Fadil Vokrri” kundër Anglisë. Këto do të jenë dy ndeshjet e fundit të Grupit A.

Por, edhe nëse Kosova s’arrin të radhitet në dy vendet e para të Grupit A, ajo e ka një mundësi tjetër për t’u kualifikuar – përmes play-offs kualifikues. Në gjysmëfinale të play-offs, Kosova përballet me Maqedoninë, ndërsa në finale e pret ose Bjellorusia ose Gjeorgjia. 

(Kosova Sot Online)