Vdes tifozi anglez në Bullgari

  • 15 October 2019 - 12:35
Vdes tifozi anglez në Bullgari

Një tifoz i Anglisë vdiq dje gjatë kohës kur autoritetet po e dërgonin në një stacion policor, pasi që ai ishte gjetur duke u sjellë në mënyrë të dhunshme para ndeshjes së djeshme në kuadër të kualifikimeve në EURO 2020.

Burri 32-vjeçar ishte gjetur në një “gjendje të pashpresë” në Borislova Gardens, njërin ndër parqet më të famshme të qytetit.

Tifozi i paidentifikuar pastaj u dërgua në spitalin më të afërm, pasi fillimisht ishte marrë nga policia shkaku i sjelljes së tij agresive dhe kërcënuese. Mediat lokale raportojnë se ai kishte qenë i dehur dhe nën ndikimin e drogës, mirëpo ky lajm nuk është konfirmuar ende.

Zyrtarët konfirmuan se ai vdiq përderisa po dërgohej në një stacion policor në Sofje. Rreth 3,400 tifozë të Anglisë raportohej se ishin dje në Bullgari për ta ndjekur ndeshjen mes dy Kombëtareve, në kuadër të Grupit A kualifikues për EURO 2020.

Mosha e tifozit u bë e një ditur përmes një deklarate të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë, mirëpo aty nuk u bë i ditur emri i tifozit në fjalë.

“Në orën 10:00, policia mori lajmin se një burrë ishte në zonën mes rrugës Ivan Vazod dhe rrugës GS Rakovski dhe ishte në gjendje të pashpresë”, thuhet në deklaratën e lëshuar.

“Ai besohet se kishte ardhur në Sofje për ta përcjellë ndeshjen mes Anglisë dhe Bullgarisë. Ai filloi të sillet në mënyrë agresive papritmas, duke shfaqur sjellje shkatërruese dhe kërcënuese”.

“Ai vdiq gjatë kohës sa po dërgohej në stacionin policor të Sofjes. Zyra e prokurorit po e vazhdon punën për t’i qartësuar rrethanat e këtij incidenti”.

(Kosova Sot Online)