Federer nuk ndalet, konfirmon pjesëmarrjen në Roland Garros

  • 17 October 2019 - 18:59
Federer nuk ndalet, konfirmon pjesëmarrjen në Roland Garros

Roger Federer do të marrë pjesë përsëri në turneun e Roland Garros-it vitin e ardhshëm. Veterani zviceran deklaroi se do të luajë sërish në vitin 2020 në Slemin Parizien, turneun e dytë të madh të sezonit, i vetmi aktivitet që zhvillohet në fushat me dhe. Pavarësisht moshës, katër muaj më parë Roger u kthye pas një mungese 3-vjeçare për të luajtur në këtë turne, madje 38-vjeçari nga Bazeli shkoi deri në fazën gjysmëfinale, ku tenisti helvet u mund në vetëm tre sete nga spanjolli Rafael Nadal.

“Mbreti i fushave me dhe” që e ka fituar “Kupën e Muskëtierëve” plot 12 herë në karrierë, numëronte plot pesë fitore radhazi në përballjet ndërmjet tyre, sidoqoftë edhe këtë herë Rafa përfitoi nga arma e tij e fortë, loja në “clay court”, për t’i shkaktuar tenistit zviceran një tjetër humbje të rëndë në këtë turne. Në të vetmen herë kur Roger Federer triumfoi në kryeqytetin francez, një dekadë më parë, tenisti iberik u eliminua që në turin e katërt nga Robin Soderling dhe kurioz është fakti që të vetmin trofe në dheun e kuq parizien fituesi i 20 titujve të mëdhenj e siguroi duke mposhtur në finale pikërisht tenistin suedez.

Në fushën qendrore Philippe Chatrier Roger është mundur katër herë në finale pikërisht nga tenisti i famshëm spanjoll, në vitet 2006, 2007, 2008 e 2011, kështu që zgjedhja e tenistit helvet bën shumë përshtypje, sidoqoftë është e kuptueshme që tenisti nga Bazeli është vërtet pranë mbylljes së karrierës. Roger Federer pranoi për CNN-in se do të marrë pjesë edhe vitin e ardhshëm në Roland Garros, gjithsesi Roger qartësoi se nuk do të luajë shumë përpara këtij aktiviteti, pasi i nevojitet kohë për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme, kështu që përpara se të shkojë në Paris do të pushojë dhe do të shkëputet për disa javë nga ky sport.

Vetëm pak ditë më parë, në një turne ekzibicioni në Japoni, numri 3 i botës në klasifikimin e përgjithshëm ATP deklaroi se me shumë gjasa do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios, që do të mbahen vitin e ardhshëm në kryeqytetin nipon. Federeri shpjegoi se dëshira e tij është shumë e madhe për të luajtur sërish në një Olimpiadë, por shumë do të varet pikërisht nga forma e tij fizike. Roger e mori një vendim të tillë pikërisht fundjavën e kaluar bashkë me stafin e tij.

Mbreti i këtij sporti ka mbajtur flamurin e Zvicrës si në Olimpiadën e Athinës ashtu edhe në Lojërat Olimpike të Pekinit. Shtatë vjet më parë në Olimpiadën e Londrës Federeri u mund në vetëm tre sete në finale nga Andy Murray, duke merituar vetëm medaljen e argjendtë, por në mënyrë të kuptueshme zvicerani vuajti ndjeshëm lodhjen e sfidës gjysmëfinale me argjentinasin Juan Martin del Potro, ndeshje rekord, pasi është më e gjata në historinë e këtij sporti për nga kohëzgjatja përsa i përket ndeshjeve me vetëm tre sete gjithsej, takim të cilin shtatë vjet më parë Roger e fitoi 19-17 pas plot 4h 26′ lojë, ndërsa të vetmen medalje të artë tenisti helvet e ka fituar në Lojërat Olimpike të Pekinit, kur pasi eliminuan në gjysmëfinale binjakët nga Shtetet e Bashkuara Bob dhe Mike Bryan bashkë me zviceranin tjetër Stan Wawrinka mundën në takimin përmbyllës në katër sete dyshen suedeze Thomas Johansson-Simon Aspelin.


(Kosova Sot Online)