Mediumi i madh spanjoll: Milani e do Guardiolën për sezonin e ardhshëm

  • 19 October 2019 - 17:12
Mediumi i madh spanjoll: Milani e do Guardiolën për sezonin e ardhshëm

Mediumi i madh spanjoll Mundo Deportivo pretendon se Milani e do trajnerin e Manchester Cityt, Pep Guardiolën, si trajner dhe Marc Overmarsin e Ajaxit si drejtor sportiv për sezonin e ardhshëm.

Mundo Deportivo raporton se drejtuesit e Milanit, kompania Elliot Management, janë lodhur nga mungesa e sukseseve dhe rezultateve të mira dhe janë të zemëruar me numrin e madh të trajnerëve që kanë ardhur e janë larguar nga klubi gjatë kohës së fundit.

Ata besojnë se mënyra e vetme për ta kthyer Milanin aty ku ishte më parë është përmes fituesve me përvojë dhe të dëshmuar në botën e futbollit.

Stefano Pioli u emërua vetëm javën e kaluar për ta zëvendësuar Marco Giampaolon në pozitën e trajnerit, mirëpo mediumi spanjoll sugjeron se roli i tij do të jetë më i ngjashëm me rolin e një trajneri të përkohshëm.

Qëllimi i tyre është trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, kontrata e së cilit me kampionët në fuqi të Premierligës skadon në qershor të vitit 2021.

Kjo nuk është hera e parë që Guardiola është përfolur për një kalim në Itali, pasi që raportohej se ai kishte qenë njëri ndër pretendentët për pozitën e trajnerit në Juventus gjatë verës.

Një pjesë të karrierës së vet si futbollist profesionist e kishte kaluar duke lujatur në Itali për Romën dhe Brescian, kështu që Guardiola është i rrjedhshëm në gjuhën italiane.

Hierarkia e Milanit është gjithashtu e irrituar me drejtuesit Paolo Maldini dhe Zvonimir Boban, pasi që beson se asnjëri nga këta të dy s’e ka përvojën e nevojshme për ato pozita, por janë aty vetëm për shkak të statusit si legjendë që e kanë në klub.

Synimi i Milanit do të jetë emërimi i drejtorit sportiv të Ajaxit, Marc Overmars, në pozitën e drejtorit sportiv të kuqezinjve. Megjithatë, ai së fundi e zgjati kontratën e tij me klubin holandez deri në vitin 2024, pasi i ndihmoi Ajaxit ta arrijë fazën gjysmëfinale të sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve. 

(Kosova Sot Online)