Real Madridi pëson disfatë nga Mallorca

  • 19 October 2019 - 23:08
Real Madridi pëson disfatë nga Mallorca

Real Madridi pësoi disfatë me rezultat 1:0 në ndeshjen kundër Mallorcas, e cila u zhvillua në stadiumin “Iberostar”, duke bërë kështu që xhiron e nëntë të mos e mbyllë më si lidere e La Ligës, pozitë kjo që tani e mban Barcelona.

Një gol i shënuar në minutën e shtatë të ndeshjes ishte i mjaftueshëm që Real Madridi ta humbë pozitën e liderit të tabelës së ligës elitare të futbollit në Spanjë, pozitë kjo të cilën e shijoi për disa javë rresht.

Këtë goditje Real Madridi e mori nga futbollisti Lago Junior, i cili përfitoi nga një asist i mirë i Aleix Febas dhe e mposhti portierin Thibaut Courtois me goditjen e tij. Ky gol ia shkaktoi Real Madridit disfatën e parë të këtij sezoni.

Real Madridi tentoi të kthehet në lojë duke krijuar raste, mirëpo futbollistët e Zinedine Zidane nuk u treguan të saktë para portës me goditjet e tyre (11 gjithsej, tri brenda kuadratit të portës), përderisa nikoqirët shënuan me goditjen e tyre të vetme brenda kuadratit të portës.

Megjithatë, situata për madrilenët u vështirësua në minutën e 74-të të ndeshjes, kur Real Madridi mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, pasi që Alvaro Odriozola u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, rrjedhimisht të kuq, për një ndërhyrje.

Pikët e humbura nga kjo ndeshje bëjnë që Real Madridi ta humbë pozitën e parë në tabelën e La Ligës, që tash e mban Barcelona. Skuadra e Zidane radhitet e dyta me 18 pikë, një më pak se Barcelona, pas nëntë ndeshjeve të zhvilluara.

Tani Real Madridi do të përqendrohet te ndeshja e radhës, ajo kundër Galatasarayt në kuadër të Grupit A të Ligës së Kampionëve, ku skuadra e Zidane ende s’ka shfaqur formë të mirë.