Firmino i përgjigjet kritikës së Keane për përqafimet mes lojtarëve të Unitedit dhe Liverpoolit

  • 22 October 2019 - 15:28
Firmino i përgjigjet kritikës së Keane për përqafimet mes lojtarëve të Unitedit dhe Liverpoolit

Roberto Firmino beson se kritikat e Roy Keane për lojtarët e Manchester Unitedit dhe Liverpoolit për përqafimet para derbit të Premierligës ishin të tepërta, duke thënë se sjelljet e tilla janë normale.

Ish-mesfushori i “Djajve të kuq”, Roy Keane, i kritikoi ashpër disa nga futbollistët e Liverpoolit dhe Manchester Unitedit pasi që ata u treguan të shoqërueshëm mes vete në tunel, para se të dilnin në fushë për ndeshjen në “Old Trafford”, përkundër rivalitetit mes dy klubeve.

Vetë Keane nuk ishte bërë pjesë e përshëndetjeve të tilla para ndeshjeve asnjëherë gjatë karrierës së tij dhe atij nuk i pëlqen se si ka ndryshuar ky aspekt i futbollit gjatë viteve të fundit.

“Jam i neveritur nga ata lojtarë. Ti po shkon në luftë e ata përqafohen e puthen. As nuk duhet ta shikosh kundërshtarin. Do të dalësh në betejë kundër tyre”, ka thënë Keane për Sky Sports.

“Futbolli s’ka ndryshuar shumë, por lojtarët kanë ndryshuar. Po del në luftë kundër atyre lojtarëve e ti i përqafon. Fol me ta pas ndeshjes, ose mos fol me ta fare, as pas ndeshjes”.

Megjithatë, Firmino beson se këto kritika të Keane janë të panevojshme. Ylli brazilian kishte qenë njëri ndër ata lojtarë që ishin përfshirë në përshëndetje dhe përqafime me lojtarët e Unitedit para ndeshjes, pasi që u takua me lojtarët brazilianë të Manchester Unitedit.

“Nuk dua të ngjall debat me askënd. Mua më duket normale që të përshëndetemi para ndeshjes, ta pyesim njëri-tjetrin se si po kalojmë. Kjo është e gjitha, s’ka asgjë më shumë kjo”, ka thënë Firmino për ESPN Brasil.

“Por, ne nuk jemi shokë pastaj në fushë. Secili e mbron klubin e vet sa më mirë që të ketë mundësi. Pastaj rivaliteti rritet në fushën e lojës”.

Rezultat baras 1:1 bëri që epërsia e Liverpoolit ndaj Manchester Cityt në kreun e Premierligës të zvogëlohet në gjashtë pikë, ndërsa Manchester Unitedi radhitet në pozitën e 14-të, me 10 pikë të fituara nga nëntë ndeshjet e para.

(Kosova Sot Online)