E konfirmon drejtori sportiv i Bayernit: Hernandez do të mungojë gjatë

  • 23 October 2019 - 12:01
E konfirmon drejtori sportiv i Bayernit: Hernandez do të mungojë gjatë

Drejtori sportiv i Bayern Munichut, Hasan Salihamidzic, beson se Lucas Hernandez do të jetë jashtë fushës së blertë për një kohë të gjatë pasi e lëndoi kyçin e këmbës në ndeshjen e së martës në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Lucas Hernandez u detyrua të largohet nga fusha e lojës para se të akrepat të shënonin një orë lojë në fitoren 3:2 të Bayern Munichut kundër Olympiacosit, që sërish i ekspozoi pikat e dobëta të mbrojtjes së gjermanëve.

Pasi që paraprakisht e kishin humbur qendërmbrojtësin Niklas Sule për shkak të këputjes së ligamenteve, Bayerni e përjetoi edhe më keq lëndimin e Hernandezit, lojtar më të shtrenjtë në histori të klubit.

“Ai do të jetë jashtë skuadrës për një kohë të gjatë. Disa javë”, tha Salihamidzic në një intervistë të dhënë për Sport1, pas ndeshjes kundër Olympiacosit.

Për Hernandezin, i cili u pa duke u larguar nga stadiumi në paterica, trajneri i Bayernit Niko Kovac tha: “Hernandez ka probleme me kyçin e këmbës. Duhet të presim për ta parë nëse i ka lënduar edhe ligamentet”.

“Ai ka dhimbje të mëdha në pjesën e brendshme të kyçit të tij; për këtë arsye u detyruam ta zëvendësojmë. Është shumë irrituese”.

Javi Martinez – i cili ka vuajtur nga lëndime të shumta gjatë karrierës së tij – gjithashtu u zëvendësua pas pjesës së parë të ndeshjes për shkak të problemeve muskulore.

“Martinez e pati një problem muskulor në pjesën e parë të ndeshjes. Ne nuk donim ta rrezikonim atë dhe për këtë arsye reagim”, shtoi Kovac.

Robert Lewandowski ishte heroi i natës pasi që dy golat e tij ia siguruan Bayernit fitoren e tretë nga po kaq ndeshje të zhvilluara në kuadër të Grupit B të Ligës së Kampionëve. 

(Kosova Sot Online)