Giggs zbulon se si kaloi Ronaldo nga një simulues në fitues ndeshjesh

  • 23 October 2019 - 12:42
Giggs zbulon se si kaloi Ronaldo nga një simulues në fitues ndeshjesh

Ish-sulmuesi anësor i Manchester Unitedit, Ryan Giggs, e ka lavdëruar Cristiano Ronaldon dhe rolin e “Djajve të kuq” në zhvillimin e portugezit si futbollist në fillim të karrierës së tij.

Giggs e kujtoi se fillimi i yllit të Juventusit në Old Trafford nuk kishte qenë i lehtë dhe i përsosur, pasi ai u bë adoleshenti më i shtrenjtë në histori të futbollit anglez kur u transferua nga Sporting Lisbona në vitin 2003.

“Ju kurrë nuk do të mund ta kishit vlerësuar atë si njërin ndër golashënuesit më të mirë në histori, thjesht nuk do të mundeshit”, ka thënë Giggs për BeIN Sports.

“Në ndeshjen e tij të parë kundër Boltonit, ai e kënaqi turmën dhe pastaj ra pak nga forma dhe ishte paksa i zemëruar. Ai e pati një fillim të vështirë në United – kur ta pasojë topin e kur jo, bënte driblime të tepërta dhe simulonte”.

Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë dhe ai u bëri futbollisti më i rëndësishëm në skuadrën e Manchester Unitedit dhe Giggsi ishte i vetëdijshëm për aftësinë e portugezit.

“Papritmas, gjithçka po i funksiononte dhe detyra jonë ishte vetëm t’ia pasojmë topin Cristianos. Edhe në skuadrën e Manchester Unitedit me Tevezin, Scholesin e Rooneyn, Ronaldo ishte lojtari që e bënte dallimin”.

“Ai ishte lojtari që mund të të nxirrte nga situatat e vështira dhe që shënonte gola. Ai u shndërrua në lojtar që t’i fitonte ndeshjet dhe e bënte këtë edhe në skenën më të madhe të futbollit”.

“Të gjithë lojtarët e mrekullueshëm arrijnë të performojnë në momentet kyçe dhe ai e ka bërë këtë gjë shumë herë – qoftë në Manchester United, Real Madrid apo Juventus”.

Giggs beson se pikërisht mënyra se si Ronaldo e ka zhvilluar stilin e tij të lojës me kalimin e viteve e ka ndihmuar atë të ketë karrierë aq të suksesshme.

“Ai ka evoluar nga një lojtar që qëndron në krahët e sulmit dhe që i zemëron kundërshtarët me driblimet e tij dhe tani është bërë një lojtar që është thjesht shumë efektiv”.

“E shikova atë para dy vjetëve në finalen e Ligës së Kampionëve, kur Real Madridi luajti kundër Juventusin dhe ai rrallëherë përfshihej në aksionin e sulmit, por kur kishte kundërsulm ai ishte në pozitën e duhur dhe ngjallej”.

(Kosova Sot Online)