Messi sonte kthehet në stadiumin ku ka kujtime të mira

  • 23 October 2019 - 12:44
Messi sonte kthehet në stadiumin ku ka kujtime të mira

Lionel Messi nuk është përballur asnjëherë në karrierë me Slavia Prague, mirëpo ai ka luajtur në Eden Arena, ku do të zhvillohet sonte përballja mes Barcelonës dhe liderit çek, më parë dhe aty ka kujtime të mira.

Më 1 nëntor të vitit 2011, Barcelona u përball me Viktoria Plzenin në Eden Arena dhe siguroi fitore bindëse me rezultat 4:0. Dhjetëshi i Barcelonës e shënoi një het-trik, përderisa golin e vetëm tjetër e realizoi Cesc Fabregas.

Messi do të tentojë ta shënojë golin e tij të parë këtë sezon të ri të Ligës së Kampionëve sonte, pasi që deri më tani ka luajtur vetëm rreth 30 minuta në barazimin kundër Borussia Dortmundit dhe pastaj nuk shënoi, përkundër që ishte mbresëlënës, në ndeshjen kundër Interit.

Pasi shënoi dhe asistoi në ndeshjen e së shtunës kundër Eibarit, duket se argjentinasi është kthyer në formën e tij më të mirë dhe e ka formuar një partneritet të mirë në sulm me Luis Suarezin dhe Antoine Griezmannin.

Mbetet të shihet nëse treshja e sulmit të Barcelonës do të luajë sërish bashkë ose nëse Ousmane Dembele – i cili s’mund të luaj në ndeshjet vendore edhe për një javë e gjysmë për shkak të pezullimit – do të ketë mundësi ta dëshmojë veten.

Me pesë fitore radhazi, Barcelona vjen në këtë ndeshje me formën e vet më të mirë deri më tani këtë sezon. Por, edhe kundërshtari i tyre është në formë të mirë, pasi që Slavia Praga i ka fituar 11 ndeshje dhe i ka barazuar dy të tjera nga 13 ndeshjet e zhvilluara deri më tani në ligën çeke. 

(Kosova Sot Online)