Hasani: Gjejeni një gjyqtar të korruptuar, klubet po na bëjnë presion

  • 23 October 2019 - 13:45
Hasani: Gjejeni një gjyqtar të korruptuar, klubet po na bëjnë presion

Përparim Hasani – kryetari i gjyqtarëve pranë Federatës së Futbollit të Kosovës – ka reaguar ndaj presidentëve të Feronikelit, Ballkanit dhe Llapit, të cilët janë çuar në këmbë kundër gjyqtarëve dhe vet Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Naser Ramaj i Feronikelit, Arsim Kabashi i Ballkanit dhe Beqir Batatina i Llapit, janë ankuar se investimet e mëdha të tyre po qiten poshtë nga referimi skandaloz dhe tendencioz, duke e fajësuar edhe FFK-në.

Ata u kanë bërë thirrje edhe klubeve tjera elitare që t’u bashkohen në iniciativën për ta menaxhuar vet IPKO Superligën, pa përzierje të shtëpisë së futbollit.

Ramaj ka shkuar aq larg sa që ka deklaruar se në Kosovë referët po i shesin ndeshjet me çmime prej 3 mijë deri në 5 mijë euro.

Por, Hasani iu është kundërpërgjigj akuzave përmes Gazetës Express, sikurse sekretari i FFK-së, Eroll Salihu. “Janë akuza të pabaza. Nëse dikush, kushdo qoftë ai, ka ndonjë fakt se e argumenton korruptimin e ndonjë gjyqtari e inkurajojë që ta deponojë në prokurori. Kushto që ka fakte se për shitblerje të tilla le t’i deponojë në prokurori ose le t’i sjell te ne dhe unë garantoj se vet do ta përcjell lëndën në prokurori”, ka deklaruar.

“Referët janë njerëz dhe mund të gabojnë, siç gabon futbollisti para portës ose portieri. Por më së paku dëshiron të gabojë gjyqtar. Gabimet e gjyqtarëve po ndodhin edhe në ligat më të forta ku funksionin edhe VAR-i. Unë kam shumë besim te këta gjyqtarë. Jam i bindur se ata mund të gabojnë pa qëllim, mund të bëjnë gabime njerëzore, por jo me qëllime apo për përfitime”, u shpreh Hasani.

Sipas tij, forma që kanë zgjedhur klubet për t’i sulmuar gjyqtarët nënkupton presion mbi ta.

(Kosova Sot Online)