Juventusi ndalet nga Lecce dhe e rrezikon kreun e Serisë A

  • 26 October 2019 - 17:02
Juventusi ndalet nga Lecce dhe e rrezikon kreun e Serisë A

Juventusi u ndal me barazim 1:1 në ndeshjen e sotshme kundër Lecces, që u zhvillua sot në stadiumin Via del Mare në kuadër të xhiros së nëntë të Serisë A, duke rrezikuar ta humbë kreun e tabelës, varësisht nga rezultati që merr Interi.

Pasi e ndali Milanin me barazim 2:2, Lecce vazhdoi me barazim tjetër mbresëlënës në shtëpi të vet, këtë herë kundër kampionit në fuqi, Juventusit,të cilit i mungoi ylli i skuadrës, Cristiano Ronaldo, pasi që ai u la të pushojë në shtëpi.

Juventusi e dominoi ndeshjen me posedim të topit dhe gjuajtje, mirëpo Lecce ishte më i saktë në tentimet e veta. Skuadra vendase i pati pesë nga gjithsej 10 goditjet brenda kuadratit të portës, ndërsa Juventusi vetëm dy nga plot 20.

Të dyja golat e shënuara në këtë ndeshje erdhën nga pika e penalltisë. Juventusi kaloi fillimisht në epërsi në minutën e 52-të përmes Paulo Dybalas, në penalltinë e fituar nga Miralem Pjanic.

Vetëm gjashtë minuta iu deshën Lecces për t’u përgjigjur dhe për ta barazuar rezultatin e ndeshjes. Këtë herë nga pika e penalltisë u tregua i saktë Marco Mancosu.

Juventusi radhitet ende për momentin në pozitën e parë në tabelën e Serisë A, me 23 pikë të fituara nga nëntë ndeshjet e para. Mirëpo, këtë pozitë mund t’ia marrë Interi më vonë, në ndeshjen e vet në kuadër të xhiros së nëntë.

Ndërsa Lecce arriti të ngrihet në pozitën e 16-të, me gjithsej tetë pikë nga nëntë ndeshjet e para., dy fitore, dy barazime dhe pesë disfata. 

(Kosova Sot Online)