Zidane e mbron Realin pas barazimit me Betisin: Ishim të përkryer, s’mund t’i shënojmë nga 5 gola çdo ndeshje

  • 03 November 2019 - 08:54
Zidane e mbron Realin pas barazimit me Betisin: Ishim të përkryer, s’mund t’i shënojmë nga 5 gola çdo ndeshje

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, i ka lavdëruar lojtarët e vet për përpjekjet e tyre në barazimin pa gola me Real Betisin, duke thënë se nuk është reale të presësh nga ata t’i shënojë nga pesë gola për ndeshje.

Madridi u ndal me barazim pa gola në shtëpi për herë të parë nën udhëheqjen e Zidanit, nga një ekip që e ka mbrojtjen më poroze në ligë.

Skuadra e francezit shënoi një herë përmes Eden Hazard në pjesën e parë, por goli i belgut u anulua për pozitë jashtë loje.

Derisa e lartësoi qëndresën e Betisit, veçanërisht paraqitjen e portierit Joel Robles, Zidane tha se ekipi i tij nuk ka mundur të bënte më shumë.

“Ata u mbrojtën shumë mirë. Ne nuk mund t’i shënojmë pesë gola për ndeshje”, tha Zidane pas ndeshjes.

“Ritmi, intensiteti dhe loja jonë në përgjithësi, ishin të përkryera. Na është dashur vetëm ta fusnim topin në rrjetë”, shtoi ai.

“Ne patëm raste. E vetmja gjë që na mungoi sonte ishte goli. Betisi është ekip i mirë, me lojtarë shumë të mirë. Në pjesën e parë, ne ishim superiorë në çdo aspekt. Na mungoi goli dhe pastaj në pjesën e dytë ndeshja ishte më e baraspeshuar”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online)