Trajneri i Çekisë, optimist për ndeshjen kundër Kosovës: E dimë çfarë të presim

  • 05 November 2019 - 12:14
Trajneri i Çekisë, optimist për ndeshjen kundër Kosovës: E dimë çfarë të presim

Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur sot, kur e publikoi listën e lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet e nëntorit, trajneri i Çekisë, Jaroslav c, u shpreh optimist se do të arrijë të sigurojë fitore kundër Kosovës.

Përballja mes Çekisë dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet më 14 nëntor në “Doosan Arena”, do të jetë vendimtare për fatin e të dyja Kombëtareve në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Ashtu siç ishte raportuar dje, ylli i Çekisë Patrik Schik do të mungojë në këtë ndeshje të rëndësishme për shkak se klubi i tij Leipzig nuk dëshironte të rrezikonte që atij t’i përkeqësohej lëndimi. Por, kjo s’ka ndikuar që Silhavy ta humbë vetëbesimin te skuadra e tij.

“Me Kosovën është një ndeshje shumë e rëndësishme për të gjithë ne, prandaj do t’i hyjmë takimit me motivimin më të madh të mundshëm. Besoj se do të arrijmë fitoren”, deklaroi Silhavy para gazetarëve.

“Ne e dimë çfarë do të presim nga ndeshja me Kosovën, prandaj besojmë se do të jemi të gatshëm për ta menaxhuar takimin”, shtoi ai.

Çekia radhitet në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A, me një pikë më shumë të fituar sesa Kosova, përderisa Anglia është lidere e grupit. Me fitore në përballjen e 14 nëntor, Çekia do ta fitonte kualifikimin në EURO 2020, ndërsa Kosova do të duhej të tentonte edhe një herë përmes play-offs të Ligës së Kombeve. 

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve. Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke.

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve.

(Kosova Sot Online)