Sarri, për racizmin në Itali: Ka vetëm një racë – raca e njeriut

  • 06 November 2019 - 08:41
Sarri, për racizmin në Itali: Ka vetëm një racë – raca e njeriut

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, ka reaguar ndaj incidenteve të fundit të racizmit në Itali, duke thënë se ka vetëm një racë, ajo e njeriut.

Përballja e së dielës, në kuadër të Serisë A, mes Veronës dhe Brescias u la nën hije nga thirrjet raciste në drejtim të Mario Balotellit, i cili reagoi me nervozizëm për trajtimin që po i bëhej dhe kërcënoi me largim nga ndeshja, para se ta shënonte një gol në disfatën 2:1.

 

Trajtimi që iu bë Balotellit vjen pas një numri të madh të incidenteve raciste në botën e futbollit, veçanërisht në Evropë, këtë sezon. Cak i thirrjeve raciste në Serie A këtë sezon ka qenë edhe sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku.

Për trajnerin e Juventusit, Sarrit, problemi i racizmit vjen nga shoqëria, por është diçka që ai thjesht s’mund ta kuptojë, përderisa kërkoi që bota e futbollit të ngrihet kundër kësaj dukurie.

“Fatkeqësisht unë buzëqesh kur ju flisni për racizmin në futboll. Kjo është pasi që ata që janë racistë në stadiume janë po kështu edhe në shoqëri. Ne nuk mund ta mendojmë stadiumin si një botë të ndarë”, ka thënë Sarri.

“Futbolli e ka teknologjinë e duhur për t’i ndalur këta persona. Është e papranueshme të flasim për racizmin në vitin 2019. Ka vetëm një racë: raca e njeriut”.

Juventusi e ka nisur sezonin e ri fuqishëm nën drejtimin e Sarrit, pasi që gjiganti italian radhitet si lider i tabelës së Serisë A dhe si lider i grupit të vet të Ligës së Kampionëve, në kuadër të së cilës të mërkurën do të përballet me Lokomotiv Moscowin në Rusi.

(Kosova Sot Online )