Studimi zbulon ligën me më së shumti lojtarë të huaj dhe të vjetër

  • 06 November 2019 - 13:22
Studimi zbulon ligën me më së shumti lojtarë të huaj dhe të vjetër

Një studim i kryer nga Observatori i Futbollit i Qendrës Ndërkombëtare për Studime Sportive (CIES) zbulon se klubet qipriote preferojnë të bëjnë investime afatshkurtra për përfitime të shpejta, sesa të investojnë në projekte afatgjata.

Kjo tregon se Qiproja ka përqindjen më të lartë të futbollistëve të huaj, me 66.8%, e ndjekur nga Portugalia, me 63.6% dhe Turqia me 62.4%. Këto tri vende janë të vetmet, me një normë lojtarësh të huaj që e tejkalojnë shifrën 60%. Liga me më pak futbollistë të huaj (jovendës) është ajo e Serbisë, me 14.8%.

Për t’i bërë gjërat më keq, 6 nga 10 skuadrat europiane me përqindjen më të lartë të minutave të aktivizimit të “mërgimtarëve” deri tani, këtë sezon, janë qipriote. Pafos FC kryeson listën, me 93.9%, ndërsa AEK Larnaca është e treta me 92.5%; APOEL FC e katërta me 90.8%. Omonia FC, Apollon dhe Anorthosis, gjithashtu, e shohin veten në “top 10”.

Në të njëjtën kohë, kampionati qipriot mbetet një nga më të vjetrit e Europës, me moshën mesatare të lojtarëve të vet 27.41 vjeç. Sidoqoftë, në këtë drejtim, Qiproja ka para vetes Superligën Turke, me moshë mesatare 28 vjeç.

Sa iu përket lojtarëve autoktonë, që garojnë në Kampionatin e Qipros, 14.2% janë të stërvitur në klubet vendëse, domethënë vijnë nga akademitë e skuadrave, në të cilat luajnë.

Kjo është një përqindje relativisht e ulët, por më e mirë se te Turqia (8.7%) dhe ligat kryesore europiane si Italia, Gjermania, Anglia, por edhe Portugalia, Belgjika e Rusia.

Vlen të përmendet se, për herë të parë që nga viti 2009, pati një rritje pan-Europiane të numrit të lojtarëve autoktonë, megjithëse me një normë shumë të ulët (0.2%), me Qipron duke treguar një rritje prej 1.6%.

Presidenti i Shoqatës së Futbollistëve të Qipros, Spyros Neophytides, tha se raporti zbulon se klubet qipriote kanë një mentalitet të dobët, kur bëhet fjalë për ndërtimin e ekipeve të tyre: “Ne shohim se klubet tona po ndjekin një politikë oportuniste, duke investuar në projekte afatshkurtra, duke sjellë një numër të madh lojtarësh të huaj. Një përqindje e madhe e këtyre lojtarëve janë në fund të karrierës së tyre, duke rritur moshën mesatare të ligës”.

(Kosova Sot Online)