Mourinho trajneri i ri i Arsenalit? Reagon Emery: Unë jam shefi këtu
Unai Emery e ka ripërsëritur se ai është ende trajner i Arsenalit, pas thashethemeve se klubi londinez do ta shkarkojë atë dhe do ta zëvendësojë me Jose Mourinhon.
Emery është nën presion të madh pasi është duke u përballur me kritika të ashpra javët e fundit, për shkak të formës së dobët të skuadrës së tij, veçanërisht në Premierligë.
Të mërkurën, Arsenali barazoi 1:1 me Vitoria në Ligën e Evropës, me golin e Shkodran Mustafit në minutën e 80-të që ishte i pamjaftueshëm për të triumfuar, sepse Bruno Duarte shënoi me gërshërë në kohën shtesë.
Ky rezultat ishte vazhdimësi e paraqitjeve të dobët në ndeshjet e fundit. Klubi nga Londra Veriore e ka fituar vetëm njërën prej gjashtë ndeshjeve të fundit në të gjitha garat, duke e lëshuar nga dora epërsinë në katër ndeshjet e fundit.
Mourinho, ndërkohë, vazhdon të jetë i papunë që prej se u shkarkua nga Manchester Unitedi në dhjetor të vitit të kaluar, dhe të dielën u raportua se ai ishte takuar me drejtuesit e Arsenalit për të biseduar për postin e trajnerit.
Edhe pse thashethemet për një takim të tillë u mohuan nga klubi, Emery u pyet të mërkurën pas barazimit në Portugali.
I pyetur nëse shqetësohet që Mourinho mund ta zëvendësojë në postin e trajnerit, Emery u përgjigj shkurt dhe shpejt: “Unë jam trajneri”.
(Kosova Sot Online)