Valon Berisha, në stol për Lazion

  • 10 November 2019 - 14:21
Valon Berisha, në stol për Lazion

Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Valon Berisha, s’ka zënë vend në formacionin e parë të Lazios për ndeshjen kundër Lecces, duke mbetur kështu në stol.

Lazio do ta presë sonte në orën 15:00 në stadiumin  Olimpiko skuadrën e Lecces, për ndeshjen e vlefshme për xhiron e 12-të në kuadër të sezonit 2019/20 të Serisë A.

E përkundër që trajneri i Lazios, Simone Inzaghi ka vendosur të luajë me pesë mesfushorë në këtë ndeshje (3-5-2), ai s’i ka lënë vend në formacionin e parë mesfushorit kosovar, Valon Berishës.

Berisha është inkuadruar vetëm në një ndeshje deri më tani në këtë sezon të Serisë A – atë kundër Interit, në të cilën luajti për 17 minuta. Një kohë kosovari kishte qenë i lënduar, mirëpo trajneri Inzaghi e ka lënë atë jashtë formacionin titullar edhe kur është rikuperuar. 

Kosovari është aktivizuar më shumë në këtë sezon të Ligës së Evropës, duke luajtur në tri nga katër ndeshjet e zhvilluara deri më tani në fazën e grupeve – ai mungoi vetëm në ndeshjen kundër Celticut të zhvilluar si mysafir.

Pas kësaj ndeshjeje, Berisha do të niset në Prishtinë, ku të hënën në orën 18:00 do t’i zhvillojë stërvitjet e para me Kombëtaren e Kosovës, para ndeshjeve vendimtare për EURO 2020 kundër Çekisë dhe Anglisë.

Image

(Kosova Sot Online)