Challandes e pranon se Kosovës i duhet të fitojë patjetër me Çekinë

  • 11 November 2019 - 11:48
Challandes e pranon se Kosovës i duhet të fitojë patjetër me Çekinë

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, e ka pranuar se ekipi i tij duhet të fitojë patjetër kundër Republikës së Çekisë të enjten në ndeshjen e parafundit kualifikuese për Euro 2020, nëse dëshiron ta sigurojë pjesëmarrjen në këtë garë për herë të parë në histori.

Kosova do të udhëtojë drejt Pragës të enjten për t’u përballur me rivalin e drejtpërdrejt për pozitën e dytë dhe të fundit që dërgon në Evropian, Çekinë, në një ndeshje vendimtare për fatin e këtyre dy Kombëtareve.

Duke folur të hënën në një konferencë për media në Prishtinë, Challandes tha se për të më rëndësi është fitorja me çfarëdo rezultati përfundimtar.

“Unë dua të fitoj, kjo është e qartë. 1:0 ose 2:1 për ne do të ishte e kënaqshme. Nuk do të kishte shumë rëndësi”, tha Challandes.

“Mentaliteti i lojtarëve tanë është lart, por kjo nuk është e mjaftueshme. Nëse dëshiron të shkosh në Evropian, nuk mjafton shpirti. I rëndësishëm është mentaliteti teknik, kualiteti, taktika, sulmi, mbrojtja, mesfusha. Ne duhet të luajmë futboll. Të luajmë mirë së bashku”, shtoi ai.

“Rezultati arrihet nëse luajmë mirë. Ne duhet të luftojmë, të vrapojmë, të kemi vendosje të mirë taktike, të tregojmë mentalitet të tillë në çdo ndeshje. Duhet ta bëjmë një paraqitje të madhe. Çekia e ka një ekip mjaft të mirë. Na pret një ndeshje mjaft e rëndësishme. Duhet ta kemi një paraqitje sa më mbresëlënëse. Presioni që ju bëj unë lojtarëve është qe ta japin gjithmonë më të mirën, e jo për rezultatin”, theksoi ai.

Tri ditë më vonë, të dielën pasdite, Kosova e pret Anglinë në një takim që mund të jetë finale apo ndeshje prestigji, varësisht rezultatit paraprak ndaj çekëve.

Kosovës i duhet fitorja më patjetër të enjten, sepse humbja e dërgon Çekinë dhe po ashtu Anglinë drejtpërdrejt në Evropian. Barazimi e mban matematikisht në garë për kualifikim në ndeshjen e fundit, por me gjasa skajshmërisht të vogla për kualifikim.

Anglia do ta sigurojë kualifikimin së paku me një barazim kundër Malit të Zi dhe pritet ta vizitojë Prishtinën si kombëtare e kualifikuar tashmë.

Fitorja kundër Çekisë dhe të paktën një barazim kundër Anglisë apo dështimi i Çekisë kundër Bullgarisë në ndeshjen e fundit, do ta dërgonte Kosovën në Evropian mu në përpjekjen e saj të parë dhe më pak se katër vjet pas pranimit në UEFA dhe FIFA. 

(Kosova Sot Online)