Dardanët shpalosin detaje nga mikpritja që do t’ia bëjnë Anglisë: “Welcome & respect”

  • 12 nëntor 2019 - 12:44
Dardanët shpalosin detaje nga mikpritja që do t’ia bëjnë Anglisë: “Welcome & respect”

Klubi zyrtar i tifozëve të ekipit kombëtar të Kosovës, “Dardanët”, ka shpalosur detaje nga mikpritja që do t’ia bëjë Kombëtares së Anglisë, në vizitën e saj të parë në Prishtinë më 17 nëntor, për ndeshjen e fundit mes dy ekipeve në fushatën kualifikuese për Euro 2020.

Dardanët do të kujdesen t’ua rezervojnë anglezëve një mikpritje të paharrueshme, duke u ofruar mbështetjeje lojtarëve të ekipit të tyre kombëtar në një kohë kur ata po përballen me abuzime raciste madje edhe nga vendet fqinje të Kosovës.

Lojtarët e Anglisë, e në veçanti ylli i Manchester City Raheem Sterling u përball me abuzime raciste nga tifozët e Bullgarisë dhe Malit të Zi gjatë ndeshjeve të Kombëtares së tij në këto dy vende së fundmi.

Kosova e mirëpret Anglinë të dielën në stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet, në ndeshjen e saj përmbyllëse në Grupin A kualifikues për Euro 2020, e cila pritet të jetë si një finale për verdhekaltrit në përpjekje për ta arritur pjesëmarrjen e ëndërruar në këtë garë.

Por paraprakisht, Kombëtarja dardane të enjten do të udhëtojë drejt Plzen për t’u përballur me Republikën e Çekisë në një duel të cilin duhet ta fitojë patjetër për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në ndeshjen e fundit kundër anglezëve.

Duke folur të martën në një konferencë për media, kryetari i “Dardanëve”, Lulzim Berisha, tha se për Kosovën kjo do të jetë një ndeshje jetike në aspektin sportiv dhe mikpritës.  

Ai zbuloi se deri në 5 mijë tifozë të “Tre luanëve” do ta vizitojnë Prishtinën në ditën e ndeshjes.  

“Ndeshje jetike ne aspektin sportiv, shtetërore pritja e anglezeve. Një slogan e kemi përgatitur, bashkëpunim me Komunën për këtë punë. Deri në 5 mijë anglezë pritet të vijnë. Shumica e hoteleve ne Prishtinë dhe rrethinë janë rezervua”, tha Berisha. 

Ai tregoi anglezëve, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do t’u bëhet një pritje në sheshin kryesor të kryeqytetit, ku do të vendoset edhe një ekran gjigant për ta shfaqur ndeshjen, duke qenë se stadiumi Fadil Vokrri nuk zë më shumë se 13 mijë persona.

“Do t’ju bëhet në Shesh një vend komod me pa lojën sepse nuk mund të hyjmë krejt në stadium. Do të ishte mirë që 50 mijë t’i zë stadiumi. ndeshja me Çekinë është jetike, por prioritet yni është qe t’i presim sa më mirë anglezët, që ta tregojmë kulturën tonë. Nuk e kemi në adetin dhe zakonin tonë ta presim keq”, shtoi ai.

Kjo u konfirmuar edhe nga Adriani, zyrtar i Komunës së Prishtinës.

“I përgëzoj Dardanët për punën. Komuna bashkëpunon me dardanët dhe FFK-në. Do të punojmë për mikpritjen e tifozëve anglezë. Do ta transmetojmë ndeshjen në qytet. Aktivitete të ndryshme në sheshet e Prishtinës. Një binë, ushqim tradicional njëfarë fanzone. T’i shikojmë në shesh dy ndeshjet e Kosovës dhe shpresojmë ta festojmë kualifikimin”, tha ai.

Fatmir Spahiu: Angazhim i madh për mikpritjen ndaj Anglisë. E kemi një marrëdhënie me Anglinë, jemi falënderues dhe borxhlinj ndaj anglezëve. Prandaj e kemi marrë një përgjegjësi vullnetare për ta organizuar sa më mirë këtë lojë. Jemi të mobilizuar ti përkrahim këta djelmosha të artë që po na zbardhin fytyrën. Që të na prezantojnë sa më mirë të jetë e mundur.

Vjosa Berisha nga “Dardanët” zbuloi se slogani do ta ketë mbishkrimin: “Welcome & respect” – apo në shqip: mirë se vini & respekt.

“Welcome and respect” është slogani për mikpritjen dhe respektin për anglezët. Kombëtarja më e madhe që po e presim në Kosovë, vend mik që na ka ndihmuar në kohëra të vështira. E ka përkrahur Kosovën për anëtarësim në UEFA e FIFA. Do të ketë mesazh kundër racizmit dhe për respekt. Një mesazh në slogan, lulja, simbol i anglezëve, që kanë rënë në luftëra të ndryshme. Shpresojmë të marrim sa më shumë bileta që të ketë sa më shumë tifozë”, tha Berisha.

(Kosova Sot Online)