Rodrygo s’dëshiron të ketë presion ta zëvendësojë Ronaldon

  • 13 November 2019 - 09:47
Rodrygo s’dëshiron të ketë presion ta zëvendësojë Ronaldon

Rodrygo Goes thotë se është një mëkat që ai nuk e pati mundësinë të luajë përkrah Cristiano Ronaldos dhe ai nuk dëshiron të shihet si një zëvendësues për yllin portugez, që tani luan për Juventusin.

Braziliani 18-vjeçar ka arritur ta fitojë shpejt zemrën e tifozëve të “Los Blancos”, që kur ai erdhi nga Santosi në Madrid – duke i shënuar pesë gola në gjashtë ndeshje.

Paraqitjet e mira të Rodrygos ka bërë që ai të fitojë krahasime me Ronaldon, i cili i kishte shënuar plot 450 gola për Real Madridin para se të transferohej në Juventus në korrik të vitit 2018.

Megjithatë, sulmuesi adoleshent, i cili pritet ta bëjë paraqitjen e tij të parë për Kombëtaren e Brazilit në ndeshjen miqësore kundër Argjentinës, është i shqetësuar për mundësinë e të luajturit futboll nën këtë presion të madh.

“Unë e kisha ëndërr të luaja përkrah Cristiano Ronaldos në Real Madrid dhe është një mëkat që ai u largua sepse tani unë mendoj se do të ishte shumë e vështirë të luaja me të”, ka thënë Rodrygo.

“Unë jam ende lojtar shumë i ri për ta plotësuar hapësirën e lënë bosh nga dikush si Cristiano Ronaldo, që është njëri ndër lojtarët më të mirë në histori të klubit, nëse jo më i miri”.

“Unë nuk dua ta vendos këtë peshë të madhe mbi vete – presionin për ta zëvendësuar Cristiano Ronaldon”. 

(Kosova Sot Online )