Akuzat për whitelist dhe sulme kibernetike, çfarë ndodhi me Tiks App

  • 13 November 2019 - 15:37
Akuzat për whitelist dhe sulme kibernetike, çfarë ndodhi me Tiks App

Pasi shumë tifozë mbetën të zhgënjyer që s’arritën të blejnë bileta për ndeshjen Kosovë-Angli, që zhvillohet më 17 nëntor në “Fadil Vokrri”, kompania Tiks App është akuzuar se ka manipuluar me shitjen e biletave.

“Për të evituar pritjet e gjata gjatë blerjes së biletave, TIKS APP ju ofron procedura shumë të thjeshta me anë të teknologjisë më të sofistikuar dhe te kuptueshme …”. Këto fjalë i prisnin në faqen Tiks.app dje të gjithë tifozët e Kosovës që dëshironin të siguronin biletë për ndeshjen kundër Anglisë.

E megjithatë, pritjet e gjata s’u evituan, procedurat s’ishin të thjeshta pasi që teknologjia e kompanisë nuk funksionoi. Vetë kompania lajmëroi se faqja u ka rënë nga sistemi dhe një pjesë e madhe e tifozëve s’arriti ta kompletojë procedurën për ta blerë një biletë.

Pas ankesave të mëdha nga tifozët, disa të tillë pretenduan se kompania në fjalë përdori “whitelist-a” për t’u dhënë qasje vetëm disa shfrytëzuesve të caktuar në faqen e tyre. Një mundësi të tillë s’e përjashton as zhvillues i uebfaqeve, Shyqeri Gashi.

“Nuk është asgjë e pamundur. Njerëzit e kanë keqkuptuar pak tiks.app – ndoshta ata edhe kanë përdorur whitelist – mirëpo nuk po besoj për shkak se kam dëgjuar plot raste të njerëzve që kanë arritur të kyçen dhe ta blejnë një biletë”, u shpreh Gashi.

“Tiksi pati shumë probleme me server, ata është dashur të ofrojnë edhe zgjidhje të tjera. Ka qenë shumë e vështirë të sigurosh bileta, ndoshta vetëm nëse kompania të ka futur në “whitelist” dhe të është lejuar qasja”

“Është e mundur të fshehën këto lista. Ti mund t’i caktosh për shembull dhjetë klientë të cilët dëshiron që të kenë qasje në atë server. Megjithatë, ne kishim mundësi të kyçeshim, mirëpo sistemi dështonte pasi që kanë qenë ndoshta miliona shfrytëzues që kanë dashur të blejnë bileta në të njëjtën kohë”.

Gazeta Express e kontaktoi edhe kompaninë Tiks.app, duke shtruar pyetje për akuzat për përdorimin e whitelist-ave, fshirjen e komenteve në statusin në Facebook dhe përgatitjet që kompania i kishte bërë për t’u shmangur problemet e tilla, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.

Ata, përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, kanë thënë se faqja e tyre dje ishte cak i sulmeve të koordinuara kibernetike dhe i kanë mohuar pretendimet e tifozëve për whitelist-a.

Sipas Gashit, problemi kryesor i Tiks.app ishte se kompania nuk ishte përgatitur siç duhet për ta përballuar një numër të madh të shfrytëzuesve në të njëjtën kohë, përkundër që vetë Tiks kishte lajmëruar një ditë më parë se vetëm rreth pesë për qind të tifozëve do të arrijnë të marrin bileta.

“Ndoshta edhe kompanitë e tjerë mund të kenë probleme me këso kërkesa të shumta, mirëpo këtë e konsideroj dështim pasi që i ka ndodhur kompanisë shumë herë

“Ata nuk janë përgatitur që të kenë kaq shumë shfrytëzues, se e kanë pasur rrjetin e dobët dhe serverët. Problemi është të përgatitja e tyre. Kompania jonë, Kutia, ka krijuar uebsajte për portale që kanë pasur numër të madh të shfrytëzuesve në të njëjtën kohë dhe ka arritur t’iu përballojë”

“Është e vështirë ta përmirësosh një produkt të keq prej fillimit. Ndërsa, në rastet kur një uebsajt është i ndërtuar mirë, faqja mund të bjerë prej sistemit, mirëpo problemi rregullohet shpejt. E gjitha ka të bëjë me planifikimin për numrin e shfrytëzuesve”.

Përderisa Tiks ka lajmëruar se biletat e mbetura do të dalin sërish në shitje, nga Federata e Futbollit e Kosovës nuk kanë qenë të gatshëm t’i komentojnë akuzat drejt Tiksit dhe nëse e drejta e shitjes së biletave të ndeshjeve të Kombëtares do t’i jepet sërish kësaj kompanie.

(Kosova Sot Online)