Southgate dëshiron të luajë me Sterlingun “shembullor” kundër Kosovës

  • 14 November 2019 - 11:10
Southgate dëshiron të luajë me Sterlingun “shembullor” kundër Kosovës

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, ka lajmëruar se ai thjesht do ta zgjedhë në formacionin e parë Raheem Sterlingun për ndeshjen kualifikuese për EURO 2020 kundër Kosovës të dielën.

Sulmuesi Raheem Sterling, i cili do të mungojë në ndeshjen e së enjtes kundër Malit të Zi për shkak se është dënuar për incidentin me bashkëkombësin Joe Gomez, ka shfaqur sjellje shembullore sipas trajnerit të Anglisë.

Dyshja Raheem Sterling dhe Joe Gomez u zunë mes vete gjatë përballjes mes Liverpoolit dhe Manchester Cityt në Anfield të dielën, ndërsa u ribashkuan vetëm rreth 24 orë më vonë, kur u grumbulluan në Kombëtaren e Anglisë, transmeton Gazeta Express.

Sterling raportohet se e kishte kapur për qafe Gomezin dhe i kishte thënë: “A je ende ai burri i madh?”, para se të ndaheshin nga bashkëlojtarët e tyre dhe gjyqtari.

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, vendosi ta lërë Sterlingun jashtë skuadrës për ndeshjen e së enjtes kundër Malit të Zi, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, për shkak se ai e kishte nisur zënkën.

“Me atë vendim, ne menjëherë i dhamë fund kësaj ngjarjeje. Mënyra se si Raheemi është stërvitur është shembullore. Natyrisht unë nuk e di se çfarë do të ndodhë saktësisht kundër Malit të Zi, por normalisht Sterlingu do të kthehet në ekipin e parë pas kësaj”, ka thënë Southgate.

“Nuk besoj se ai është i lumtur që do të mungojë në ndeshjen kundër Malit të Zi, Por, unë e kuptoj këtë sepse Raheemi është shumë i rëndësishëm për ne. Ai është shembullor në stërvitje dhe e shijon futbollin”. 

(Kosova Sot Online)