CAS i kthen përgjigje Man Cityt, që u ankua për hetimet e UEFA-s

  • 15 November 2019 - 15:23
CAS i kthen përgjigje Man Cityt, që u ankua për hetimet e UEFA-s

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, CAS, nuk e ka pranuar apelimin e Manchester Cityt ndaj vendimit të UEFA-s për ta hetuar klubin, duke thënë se nuk mund të apelohet ky vendim pasi që UEFA s’ka vendosur ende nëse Manchester City do të dënohet apo jo.

Kampioni në fuqi i Premierligës e apeloi vendimin e UEFA-s për ta hetuar ndershmërinë financiare të Manchester Cityt në CAR këtë qershor.

Dhoma Hetuese e Trupit Kontrollues të Financave të Klubeve në UEFA e nisi hetimin për Manchester Cityn në mars, pasi Der Spiegel publikoi dokumente të Football Leaks, të cilat akuzonin se klubi anglez kishte shkelur rregullat për rekrutimin e lojtarëve të rinj dhe mënyrës së financimit.

Manchester City e kishte kundërshtuar fuqishëm këtë vendim, duke i cilësuar akuzat si plotësisht të rreme dhe kishte thënë se UEFA i kishte injoruar dëshmitë e dërguara nga klubi.

Në një deklaratë të lëshuar për media të enjten, CAS sqaroi se nuk mundi ta pranojë apelimin e Manchester Cityt sepse UEFA ende s’kishte arritur vendimin përfundimtar në këtë rast.

Manchester City tani duhet ta presë vendimin e UEFA-s dhe nëse dënohet, atëherë mund të vendosë ta apelojë atë vendim në CAS. Megjithatë, The Athletic raportoi të mërkurën se UEFA vetëm do ta gjobitë klubit dhe nuk do ta suspendojë nga garat evropiane.

Në gusht, FIFA e gjobiti Manchester Cityn me 370 mijë funte për shkeljen e rregullave lidhur me transferimin e lojtarëve të rinj në moshë, mirëpo nuk ia hoqi klubit të drejtën e transferimit të lojtarëve në afatet vijuese kalimtare. 

(Kosova Sot Online)