Mediumi çek: Huliganët kosovarë kërkonin hakmarrje në Çeki

  • 15 November 2019 - 15:57
Mediumi çek: Huliganët kosovarë kërkonin hakmarrje në Çeki

Pasi disa tifozë çekë kishin planifikuar ta ngrinin një pankartë “Kosova është Serbi” me dron në Prishtinë, mediumi çek Expres.cz shkruan se tifozët kosovarë, që i quan “huliganë”, planifikonin të hakmerreshin mbrëmë, përkundër që “Dardanët” s’e shkaktuan asnjë problem në Pilsen.

Para dy vjetëve, kur Sparta Prague kishte luajtur në një ndeshje kualifikuese për Ligën e Evropës kundër Crvena Zvezdës, tifozët çekë dhe ata serbë ishin bashkuar kundër Kosovës. Kur serbët brohorisnin “Kosova”, në anën tjetër të stadiumit çekët përgjigjeshin “është Serbi”, ndërsa një pjesë e të pranishmëve në stadium duartrokiste.

Këtë shtator, kur Republika Çeke luajti në Prishtinë të Kosovës, policia i arrestoi tetë qytetas çekë – gjashtë burra dhe dy gra – para ndeshjes. Policia e kishte gjetur një dron, një flamur serb dhe një pankarte të madhe ku shkruhej “Kosova është Serbi”.

Në tentim për të shmangur situata të tilla në ndeshjen e së enjtes në Pilsen, Federata çeke vendosi t’iu shesë bileta vetëm tifozëve që kanë nënshtetësi çeke dhe në qytetin Pilsen, ku dje Kosova u mposht me rezultat 2:1 nga Çekia, pati numër të madh të policëve.

Megjithatë, incidentet nuk munguan. Një tifoz kosovar u sulmua dje në Çeki nga disa persona, ndërsa gjatë ndeshjes Amir Rrahmani dhe Arijanet Murici u ankuan se çekët bënin thirrje raciste ndaj tyre. Në anën tjetër, tifozët kosovarë ishin shembullorë dhe nuk shkaktuar incidente.

 “Që nga shtatori, tifozët e Kosovës kanë pasur diçka për t’ua kthyer çekëve. Tifozët çekë provokuan në Kosovë me një flamur ku shkruhej “Kosova është Serbi”. Huliganët e Kosovës mezi prisnin të hakmerreshin. Baza kryesore e huliganëve të Kosovës shkuan në Pilsen dhe kundër tyre ishin huliganët çekë”, shkruan Expres.cz.

“Policia kishte pritur probleme dhe për këtë arsye e kishte ngritur numrin e policëve nëpër qytet, për t’i siguruar qytetarët. Në Rrugën Roosevelt u përplasën një grup i tifozëve çekë me tifozë të Kosovës, të cilët u ndanë me intervenimin e policisë”.

“Pas ndeshjes, policia nuk raportoi për asnjë përplasje tjetër mes tifozëve dhe huliganët e Kosovës u kthyen në një rrugëtim të gjatë drejt shtëpisë, duke e ditur se ëndrra për t’u kualifikuar në Evropian s’iu ishte realizuar”.

Megjithatë, Kosova e ka edhe një mundësi të dytë për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian – përmes play-offs të Ligës së Kombeve, ku në gjysmëfinale e pret Maqedonia, ndërsa në finale Gjeorgjia ose Bjellorusia. 

(Kosova Sot Online)