Pamje: Edhe sonte kundër Anglisë, Kosova luan me fanellë të veçantë

  • 17 nëntor 2019 - 09:45
Pamje: Edhe sonte kundër Anglisë, Kosova luan me fanellë të veçantë

Lojtarët e Kosovës do të zbresin sonte në fushën e stadiumit Fadil Vokrri të veshur me një fanellë të veçantë për ta mbyllur fushatën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 kundër gjigantit botëror, Anglisë.

Kombëtarja verdhekaltër është nikoqire e Anglisë në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në ndeshjen e fundit për të dy ekipet kombëtare në Grupin A kualifikues që nis në orën 18:00, me këtë të fundit që është kualifikuar tashmë.

Edhe pse nuk ia doli të kualifikohet në Euro 2020 përmes rrugës tradicionale, Kosova do ta ketë një mundësi të dytë ta bëjë këtë, përmes rrugës së play-off në Ligën e Kombeve. 

Në mars, “Dardanët” do të përballen me Maqedoninë Veriore në një ndeshje gjysmëfinale dhe në rast fitoreje, do të luajnë një ndeshje finale ndaj fituesit të gjysmëfinales tjetër mes Bjellorusisë dhe Gjeorgjisë.

Si në dy ndeshjet e kaluara, edhe në këtë takim, Kosova do të bartë fanellë të veçantë.

Fanella do të jetë kryesisht e kaltër e çelet me nuanca të së verdhës. Ajo do ta mbajë logon e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe në mes flamurin e Kosovës si dhe atë të Anglisë.

Verdhekaltrit luajtën me fanellë të veçantë edhe në ndeshjen e parë kundër Anglisë në Southampton në shtator, të cilën e humben 5:3.

Po ashtu, edhe ndaj Çekisë në Plzen, Kosova luajti me fanellë të veçantë dhe, edhe aty u mposht 2:1.

Image

(Kosova Sot Online)