Kombëtarja e Anglisë e falënderon Kosovën publikisht: Çfarë mikpritje!

  • 18 nëntor 2019 - 11:46
Kombëtarja e Anglisë e falënderon Kosovën publikisht: Çfarë mikpritje!

Kombëtarja e Anglisë e ka falënderuar Kosovën publikisht për mikpritjen e ngrohtë që ua ka bërë lojtarëve dhe tifozëve të saj gjatë vizitës në Prishtinë këtë fundjavë, për ndeshjen përmbyllëse për të dy ekipet kombëtare në fushatën kualifikuese për Euro 2020.

Anglia fitoi 4:0 në një ndeshje të parëndësishme në karakterin garues, duke qenë se verdhekaltrit i kishin humbur gjasat për kualifikim tashmë dhe “Tre luanët” e kishte siguruar biletën për turneun e verës së ardhshme – por ky takim do të shkruhet në librat e historisë për gjithë atë që ndodhi brenda dy ditëve.

Kosova e mahniti botën me mënyrën sesi e priti Anglinë në Prishtinë, si shenj falënderimi dhe mirënjohje për ndihmën dhe kontributin që Britania e Madhe ka dhënë në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. 

Nga tifozët, lojtarët, stafi dhe trajneri, të gjithë në kampin anglez kanë mbetur gojëhapur me pritjen që u është ofruar nga kosovarët.

Madje mediat botërore e kanë marrë Kosovën si shembull se si duhet të pritet një ekip vizitor në futboll.

Kombëtarja e Anglisë e ka falënderuar Kosovën për mikpritjen pas mbërritjes në ishull, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Çfarë mikpritje! Faleminderit Kosovë”, thuhet në llogarinë e ekipit kombëtar anglez në Twitter.

(Kosova Sot Online)