Rrugëtimi i mrekullueshëm i Kosovës

  • 18 November 2019 - 15:35
Rrugëtimi i mrekullueshëm i Kosovës

Kosova e ka befasuar dhe mahnitur botën me kampanjën kualifikuese për Euro 2020. “Dardanët” ua rrëmbyen zemrën botës së futbollit me rezultatet dhe lojën që e shfaqën. Edhe pse nuk e siguruan kualifikimin përmes eliminatoreve, Verdhekaltrit e kaluan provimin.

Përfaqësuesja e Kosovës doli faqebardhë dhe me kokën lart nga kampanja kualifikuese për Euro 2020.

“Dardanët” e mbyllën fazën eliminatore në pozitën e tretë në Grupin A me 11 pikë të grumbulluara, prej tyre 3 fitore, 2 barazime e 3 humbje.

Verdhekaltrit ishin në lojë për t’u kualifikuar deri në xhiron e parafundit, duke ia rrezikuar kualifikimin një ekipi me traditë dhe të respektueshëm si Republika Çeke.

Gjithashtu, gjatë rrugës, trupa e Bernard Challandes ia shënoi tre gola Anglisë në shtëpi të saj, gjë e cila nuk kishte ndodhur qe një dekadë.

“Dardanët” e nisën fazën kualifikuese me një barazim në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj Bullgarisë, 1:1 në muajin mars.

Goli i Arbër Zenelit ishte i pamjaftueshëm për t’i mposhtur bullgarët, në një ndeshje ku Kosova dominoi.

Më pas, në muajin qershor Verdhekaltrit barazuan në Podgoricë me Malin e Zi me rezultat identik. Në atë ndeshje, për Kosovën shënonte Milot Rashica.

Edhe në këtë ndeshje, ekipi ynë kombëtar bëri lojë të mirë.

Po ashtu në qershor, Kosova e zhvilloi ndeshjen me Bullgarinë duke festuar në Sofje pas fitores me përmbysje, 3:2.

Milot Rashica, Vedat Muriqi dhe Elbasan Rashani ishin tre shënuesit e Kosovës, në fitoren për mbamendje.

Shtatori po ashtu ishte mjaft pozitiv për Kosovën.

Ajo e shënoi një tjetër fitore të madhe, duke e mundur Republikën Çeke me rezultat 2:1.

Golat e Vedat Muriqit dhe Mërgim Vojvodës ia siguruan fitoren ekipit kosovar, i cili nisi të ëndërronte madje edhe në kualifikim.

Pas pak ditësh, Kosova u mposht nga Anglia 3:5, në një ndeshje ku megjithatë doli me kokën lartë.

Valon Berisha realizoi dy herë, kurse një gol tjetër e shtoi Vedat Muriqi, i cili kishte asistuar dy herë po ashtu.

Ëndrra e Kosovës vazhdoi edhe në tetor, kur e mundi Malin e Zi me rezultat 2:0.

Amir Rrahmani dhe Vedat Muriqi shënuan nga një herë për Verdhekaltrit për fitoren e tretë në këto eliminatore.

E nëntori nuk ishte prej më të mirëve për Kosovën.

Amir Rrahmani me shokë u mposhtën nga Republika Çeke në ndeshjen vendimtare për vendin e dytë.

Goli i Atdhe Nuhiut ishte i pamjaftueshëm për “Dardanët”, të cilët u paraqitën në Plzen me disa mungesa.

Ndërkaq, Kosova i mbylli këto eliminatore me humbjen e thellë nga Anglia, 0:4.

Sidoqoftë, marrë në përgjithësi, Kosova e bëri një kampanjë të mrekullueshme në këto eliminatore pasi askush nuk e kishte pritur se do të grumbullonin aq shumë pikë dhe që do të bënin lojëra aq të mira.

(Kosova Sot Online)