Guardiola po projekton “divorcin” me Manchester City-n

  • 18 November 2019 - 16:37
Guardiola po projekton “divorcin” me Manchester City-n

Manchester City dhe Josep Guardiola mund të jenë në “titrat” e fundit të sezonit të 4-t të serialit të suksesshëm në Angli. Sipas të përditshmes “Daily Mirror”, ekziston mundësia që në fund të këtij edicioni palët të shtrëngojnë duart si “gentleman” dhe t’i japin fund lidhjes, e cila nisi në vitin 2016 pasi trajneri katalan mbylli aventurën 3-vjeçare me Bayernin e Mynihut.

Kontrata aktuale me “Sky Blues” përfundon në vitin 2021, por duke iu referuar gjithnjë tabloidit “Daily Mirror”, ekziston një klauzolë e cila të dërgon në zgjidhjen konsensuale të marrëveshjes.

Një nga arsyet që, pak a shumë, po e detyron Guardiolën të largohet, është familja. Bashkëshortes, të cilën e ka njohur që kur ishte 18 vjeç, dhe 3 vajzave të tij nuk u pëlqen më jeta në Manchester dhe këtë ia kanë bërë të qartë edhe Pepit. Ato dëshirojnë të kthehen në Spanjë, madje bashkëshortja dhe vajza e vogël, për momentin, më shumë po qëndrojnë në Spanjë sesa në Manchester.

Në horizont është shfaqur sërish Bayerni i Myniht, por është shumë e vështirë që Guardiola të pranojë të marrë drejtimin e “Die Rotten”, ndërkohë që në dritare qëndron Juventusi.

Në stolin e Manchester CIty-t tekniku 48-vjeçar ka siguruar 2 tituj kampion në Angli, 1 FA Cup, 2 Kupa të Ligës dhe 2 Superkupa Anglie, ndërsa objektivi madhor në këtë sezon, që mund të jetë edhe i fundit i tij me “The Citiziens”, mbetet triumfi në UEFA Champions League.


(Kosova Sot Online)