Challandes zbulon se çfarë i tha djali i tij për festën e shqiptarëve dhe anglezëve në Prishtinë

  • 18 November 2019 - 19:03
Challandes zbulon se çfarë i tha djali i tij për festën e shqiptarëve dhe anglezëve në Prishtinë

Kosova i ka mbyllur me humbje kualifikimet për ‘Euro 2020’, duke përfunduar e treta në Grupin A me 11 pikë të grumbulluara.

‘Dardanët’ u mposhtën 0-4 nga Anglia në sfidën e fundit në ‘Fadil Vokrri’.

Kjo sfidë ishte e veçantë për të gjithë, për shkak edhe të mikpritjes së madhe që Kosova i bëri Anglisë, në veçanti tifozët – diçka që pushtoi ballinat e mediave botërore, veçanërisht ato të Anglisë.

Lidhur me këtë ka folur edhe Bernard Challandes, trajneri i Kosovës.

“Mendoj se është imazh shumë pozitiv për Kosovën, jo vetëm për shkak të historisë me Anglinë. Ky respekt apo qëndrim ka qenë shumë i mirë për Kosovën për imazhin e vendit”, u shpreh Challandes.

“Ne e dimë se kudo që luan Anglia ka shumë mbështetje, por jo sikur kjo që ndodhi në Kosovë”.

“Djali im ishte i befasuar me miqësinë e anglezëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për imazhin e vendit të Kosovës”.

Sido që të jetë, ëndrra e Kosovës për ‘Euro 2020’ nuk ka përfunduar.

‘Dardanët’ do të tentojnë të shkojnë në Evropë përmes Ligës së Kombeve.

Pengesa e parë është Maqedonia në gjysmëfinale të Nations League dhe në rast fitores, do të kenë punë me fituesin e duelit Gjeorgji-Bjellorusi. 


(Kosova Sot Online)