Thiago Silva: Ibra e la Milanin shkaku im

  • 19 nëntor 2019 - 14:00
Thiago Silva: Ibra e la Milanin shkaku im

Thiago Silva ka rrëfyer se Zlatan Ibrahimovic u largua nga Milani për t’iu bashkuar Paris Saint-Germainit në vitin 2012 shkaku i brazilianit.

Thiago Silva dhe Zlatan Ibrahimovici i ndihmuan Milanit ta sigurojë titullin e 18-të të Serisë A në sezonin 2010/11. Kuqezinjtë kishin qenë shumë afër ta përsërisin atë sukses, para se të merrej vendimi për çmontimin e asaj skuadre.

Silva dhe Ibrahimovici u larguan drejt kryeqytetit francez për një shumë të përbashkët prej 65 milionë eurosh, përderisa lojtarë si Clarence Seedorf, Antonio Cassano dhe Alexandre Pato gjithashtu u larguan atë verë.

Përveç kësaj, Filippo Inzaghit, Alessandro Nestas dhe Gennaro Gattusos iu dha lamtumira në ndeshjen e fundit në shtëpi për atë sezon të Milanit, kundër Novaras, kur Inzaghi e kishte shënuar golin e fitores në minutat e fundit të ndeshjes.

Shumë tifozë të Milanit e shohin atë verë si momentin që e ndryshoi fatin e klubit për vitet vijuese deri më tani, pasi që klubi kuqezi e mbylli sezonin 2012/13 në pozitën e tretë, 2013/14 në pozitën e tetë, 2014/15 në pozitën e dhjetë dhe sezonin 2015/16 në pozitën e shtatë.

Në një intervistë të dhënë për revistën prestigjioze franceze France Football, Thiago Silva e ka zbuluar një histori nga vera e vitit 2012, kur ai dhe Zlatan Ibrahimovic u larguan nga Milani.

“Menjëherë pasi e nënshkrova kontratën me Paris Saint-Germainin, Zlatani më ftoi për të më pyetur nëse e kisha nënshkruar me të vërtetë kontratë”, tha Silva.

“Unë i thashë se po dhe ai më tha: “Nuk është shaka, apo jo? Nëse nuk shkon ti, as unë nuk do të shkoj. Nëse po më gënjen, do të vij të ta tregoj qejfin”.

Në sezonin 2011/12, Zlatani i shënoi 35 gola për kuqezinjtë, të cilët përfunduan në pozitën e dytë në tabelën e Serisë A, pas Juventusit të pamposhtur. Që nga atëherë, Milani është kualifikuar për Ligën e Kampionëve vetëm një herë. 

(Kosova Sot Online )