Milani dhe Interi, në luftë për Xhakën

  • 20 November 2019 - 13:56
Milani dhe Interi, në luftë për Xhakën

Sky Germany pretendon se dy klubet rivale, Interi dhe Milani, tani janë në luftë edhe për ta transferuar mesfushorin e Arsenalit, Granit Xhakën, gjatë afatit kalimtar të janarit.

Trajneri Anotnio Conte vazhdimisht është ankuar për mungesën e opsioneve në skuadrën e tij dhe i ka kërkuar hierarkisë së Interit të transferojë më shumë lojtarë gjatë janarit, për shkak të agjendës së ngarkuar me ndeshjet në garat vendore dhe në garat evropiane.

Ndërkohë, Milani është në kërkim për të transferuar lojtarë me më shumë përvojë për t’i ndihmuar trajnerit me lojtarët e skuadrës, shumica prej të cilëve kanë moshë të re. Për këtë arsye, drejtuesit e Milanit besojnë se mesfushori i Arsenalit i përshtatet këtij profili.

Karriera e Xhakës në Arsenal, që filloi në vitin 2016, raportohet se ka marrë fund pas zënkës që ai e pati me tifozët e klubit, gjatë barazimit 2:2 të Arsenalit me Crystal Palace muajin e kaluar.

Xhaka iu përgjigj fishkëllimave të tifozëve gjatë kohës sa po zëvendësohej në atë ndeshje duke i sharë tifozët dhe duke e zhveshur me forcë fanellën e Arsenalit, si dhe duke ecur drejt e në zhveshtore.

Tani, Sky Germany raporton se mesfushori zviceran me origjinë shqiptare po kërkohet edhe nga ish-klubi i tij, Borussia Monchengladbach, mirëpo Xhaka nuk është i interesuar për një transferim të tillë, pasi që do e preferonte një kalim në Inter apo Milan.

Edhe Interi e edhe Milani janë të gatshëm ta transferojë Xhakën në skuadër në formë huazimi, me opsionin për ta blerë në fund të sezonit. 

(Kosova Sot Online)