Pelicans triumfojnë kundër Blazers në debutimin e Carmelo Anthony

  • 20 November 2019 - 13:59
Pelicans triumfojnë kundër Blazers në debutimin e Carmelo Anthony

Jrue Holiday i shënoi 22 pikë dhe i bëri dhjetë asiste, përderisa New Orleans Pelicans ia prishën Carmelo Anthonys debutimin duke i mposhtur Portland Trail Blazers me rezultat 115:104 të martën.

Brandon Ingram, koshashënuesi më i mirë i Pelicans, u kthye pasi mungoi në katër ndeshjet e fundit për shkak të një lëndimi në gju dhe kontribuoi me 21 pikë. JJ Redick i shënoi 18 pikë, Nicolo Melli 14 dhe E’Twaun Moore 11 në fitoren e tretë të Pelicans në katër ndeshjet e fundit.

Anthony, 35-vjeçari që ka qenë dhjetë herl “All-Star” nuk kishte luajtur për më shumë se një vit basketboll, luajti për herë të parë për Blazers dhe e mbylli ndeshjen me dhjetë pikë dhe katër kërcime në 24 minuta.

CJ McCollum i shënoi 22 pikë dhe Hassan Whiteside i pati 14 pikë dhe 14 kërcime për Blazers. Portland luajti pa koshashënuesin më të mirë të vet, Damian Lillard, i cili pati probleme me shpinë.

Lakers 112, Thunder 107

Anthony Davis i shënoi 34 pikë dhe LeBron James e bëri një triple-double, duke i ndihmuar Los Angelesit ta sigurojë fitoren e pestë radhazi, përderisa Oklahoma pësoi disfatë për të katërtën herë në pesë ndeshje.

Warriors 114, Grizzlies 95

Golden State e lejoi Memphisin ti shënojë vetëm katër pikë në 8:57 minutat e parë të pjesës së dytë, kur e përmbysi rezultatin nga një deficit në një epërsi të rehatshme. Me këtë fitore, Warriors i dha fund ecurisë më të gjatë të disfatave që nga viti 2012.

Kings 120, Suns 116

Bogdan Bogdanovic theu rekord personal me 31 pikët dhe shtatë trepikëshat e tij, që ndihmuan t’ia japin Sacramentos fitoren në përballjen me Phoenix. 

(Kosova Sot Online)