Mourinho: Futbollistët janë arsyeja pse zgjodha Tottenhamin

  • 21 nëntor 2019 - 18:38
Mourinho: Futbollistët janë arsyeja pse zgjodha Tottenhamin

Jose Mourinho është shfaqur para mediave për herë të parë si trajner i Tottenham Hotspur.

Ai është shfaqur shumë i motivuar për këtë detyrë të re, duke vlerësuar potencialin e lojtarëve të Tottenham, teksa thotë se ata janë një arsye pse pranoi të zëvendësojë Mauricio Pochettinon.

Mourinho shprehu bindjen se do të bëjë gjithçka që skuadra të dalë nga situata e vështirë në të cilën ndodhet pasi beson te aftësitë e lojtarëve, madje është aq i kënaqur me grupin që ka në dispozicion dhe nuk do prurje të reja.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Çdo klub që ndërron trajnerin gjatë sezonit, do të thotë se ka vështirësi. Por, potenciali i kësaj skuadre është i jashtëzakonshëm, ashtu edhe si i lojtarëve që janë një nga arsyet pse bëra këtë zgjedhje. Nuk ndryshohen gjërat në dy ditë. Nuk kam shumë eksperiencë duke i marrë ekipet në drejtim gjatë sezonit, më ka ndodhur vetëm me Porton në vitin 2001”, u shpreh ai.

“Këto 11 muaj pushim kanë shërbyer për të reflektuar, analizuar dhe përgatitur. Por nuk e humbet kurrë ADN dhe identitetin”.

“Kam kuptuar se gjatë karrierës sime kam bërë gabime që nuk do t’i ribëja. Jam më i fortë, i relaksuar dhe i motivuar. Dua të influencoj te lojtarët e mi që të jenë të nervozuar pas një fitore të munguar. Pasi nëse je i lumtur pasi ke humbur një ndeshje, është e vështirë të jesh një fitimtar”.

“Përforcime në skuadër? E vetmja gjë që dua është të ruaj këtë grup futbollistësh, pasi të gjithë janë lojtarë me cilësi të mëdha. S’kam nevojë për lojtarë, por për kohë, që t’i njoh këta që janë. Dhurata më e mirë janë futbollistët që gjenden këtu. I njoh mirë, por jo mjaftueshëm derisa t’i njohë komplet”.

“Futbollistët janë arsyeja që jam këtu, kam tentuar disa prej tyre t’i transferojë në klube të ndryshme, por s’kam mundur. Për disa as që kam tentuar, sepse ka qenë e pamundshme t’i marrës. Nuk po e them këtë vetëm tani, e kam thënë për vite me radhë”.

(Kosova Sot Online)