Mourinho ia mori ndihmësit në Tottenham, trajneri i Lille reagon i zemëruar

  • 22 November 2019 - 08:17
Mourinho ia mori ndihmësit në Tottenham, trajneri i Lille reagon i zemëruar

Trajneri i Lille, Christophe Galtier, e kritikoi Jose Mourinhon, i cili ia mori dy ndihmëstrajnerë nga stafi teknik për t’u bërë pjesë e stafit teknik të ri në Tottenham.

Jose Mourinho u emërua në pozitën e trajnerit të Tottenhamit të mërkurën, pasi Mauricio Pochettino dhe ndihmësit e tij u shkarkuan.

Ish-trajneri i Real Madridit dhe Manchester Unitedit Mourinho e formoi shpejt stafin e tij teknik në Tottenham, duke e marrë trajnerin e portierëve, Nuno Santos, dhe Joao Sacramenton nga Lille.

Në mediat britanike është spekuluar edhe se Mourinho dëshiron ta marrë edhe drejtorin sportiv Luis Campos për t’iu bashkuar atij te klubi londinez në një rol të ngjashëm me atë që e mban aktualisht.

Galtier nuk i fajëson ndihmësit e tij që u larguan për ta marrë një post të ri, por ai e bëri të qartë se ai nuk ishte aspak i kënaqur me mënyrën se si Mourinho iu qas të gjithë kësaj situate.

“Të gjithë i kanë mënyrat e veta për t’i bërë gjërat. Është shumë e stilit të lartë, sidoqoftë, shumë e stilit të lartë të bësh diçka të atillë”, tha Galtier me një ton ironik, para përballjes së Lille me Paris Saint-Germainin në Ligue 1.

“Unë isha i zemëruar; momenti nuk ishte i duhuri. Ka shumë mënyra se si mund t’i bësh këto gjëra. Sidoqoftë, ajo që ka rëndësi është se unë pajtohem me vendimin e presidentit Gerard Lopez”.

“Unë e kam pasur edhe rolin e zëvendësuesit. Atyre iu kërkua diçka, ata besonin në projektin dhe shkuan. Kështu është futbolli tani”.

“Presidenti im dhe Luis Campos nuk mund të bënin gjithçka për t’i mbajtur dy persona, që s’mund të qëndronin në këtë projekt. Ne nuk jemi në botën e “Care Bears””.

“Unë e mora vesh të martën në mbrëmje, kur më telefonoi presidenti. Ai më foli për të gjithë situatën. Nuk po e prisja fare. Ne po përgatiteshim në mënyrë normale për ndeshjen në Paris”.

“Ai ma sqaroi dhe unë e kuptova. Edhe unë do ta kisha bërë të njëjtën gjë. Nëse stafi dëshiron t’i bashkohet një projekti tjetër, të duhen aq shumë investime saqë nëse vetëm dhjetë për qind të shkon mendja diku tjetër, do të dështosh”.

Megjithatë, Galtier beson se Campos nuk do t’i ndjekë dy ndihmëstrajnerët në Tottenham.

“Luis është 200 për qind i investuar në projektin në Lille dhe unë nuk e shoh as të 1000-tën e dëshirën për të shkuar diku tjetër. Ne jemi të afërt dhe jemi duke shikuar përpara në të ardhmen”.

(Kosova Sot Online)