Real Madridi dëshiron t’ia rinovojë kontratën Benzemas

  • 22 November 2019 - 11:08
Real Madridi dëshiron t’ia rinovojë kontratën Benzemas

Real Madridi është duke e shqyrtuar mundësinë për t’ia ofruar një kontratë të re sulmuesit francez Karim Benzema, pasi kontrata e tij aktuale përfundon në vitin 2021.

Drejtuesit e “Los Blancos” dëshirojnë t’i ofrojnë Karim Benzemës kontratë të re, të vlefshme deir në vitin 2023, dhe t’ia rritin pagën për t’ia përshtatur me rolin më të madh që ai e ka marrë tani në skuadër, raporton Marca.

Benzema aktualisht paguhet më pak në Real Madrid sesa Gareth Bale e Sergio Ramos, edhe pse francezi ka qenë njëri ndër performuesit më të mirë të skuadrës madrilene ndër vite.

Të dy palët – përfaqësuesit e Benzemës dhe të Real Madridit – tashmë i kanë filluar negociatat, mirëpo ende s’është arritur asnjë marrëveshje.

Ndërkohë, Benzema nuk dëshiron të ngutet të nënshkruajë kontratë të re me Real Madridin, pasi që ai dëshiron të sigurohet se ai do ta ketë statusin e njëjtë në skuadër edhe në sezonet vijuese, pasi që së shpejti do ta festojë ditëlindjen e 32-të.

Ëndrra e tij është të vazhdojë të jetë pjesë e “Los Blancos”, mirëpo ai dëshiron që të jetë në gjendje t’i arrijë pritshmëritë e skuadrës, si për cilësinë e lojës, ashtu edhe në aspektin e formës fizike.

Presidenti i klubit, Florentino Perez, ka qenë gjithmonë një adhurues i talentit të Benzemës, duke e mbështetur francezin edhe në momentet më të vështira të karrierës së tij.

Futbollisti kishte arritur në Spanjë në moshën 21-vjeçare dhe tani, një dekadë më vonë, ai duket ende në formë.

Shumë klube të Premierligës, si dhe Paris Saint-Germaini, mund të shprehin interesim për Benzemën nëse ai nuk nënshkruan kontratë të re me Real Madridin. 

(Kosova Sot Online)