Reagon Zidane pasi Bale u tall me Real Madridin
Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka mohuar të jetë i shqetësuar apo i mërzitur shkaku i rasteve të fundit kontroverse në të cilat Gareth Bale është përfshirë gjatë kohës së tij me Kombëtaren e Uellsit.
Gareth Bale nuk kishte bërë paraqitje për Real Madridin që nga 5 tetori shkaku i një lëndimi, mirëpo ai arriti të luajë për Uellsin në ndeshjet kundër Azerbajxhanit dhe Hungarisë gjatë javës së fundit, kur skuadra e drejtuar nga Ryan Giggs e siguroi kualifikimin në EURO 2020.
Ish-ylli i Tottenhamit u incizua pas ndeshjes kundër Hungarisë me një flamur të Uellsit ku shkruhej: “Uellsi. Golfi, Madridi. Në këtë renditje”, në lidhje me një intervistë të fundit të ish-sulmuesit të Real Madridit , Pedja Mijatovic, i cili vuri dyshim mbi prioritetet e uellsianit.
Bale gjithashtu e bëri një intervistë para disa ditëve ku tha se më shumë i shijon ndeshjet e Kombëtares së Uellsit sesa ato të Real Madridit. Pas kësaj, mediat dhe tifozët spanjollë e kritikuan futbollistin për mungesë respekti ndaj klubi që e paguan aq shumë.
Megjithatë, Zidane nuk pranoi të jetë kritik ndaj veprimeve të Bale në konferencën e tij për shtyp.
“Mendoj se është bërë shumë zhurmë për veprimin e Bale dhe ajo që duhet të bëhet tani është të përqendrohemi në futboll, unë si trajner dhe ai si lojtar. Kjo është bërë e tepërt”, ka thënë Zidane.
“Lojtari ka qenë me ekipin kombëtar, ka pasur mundësi të luajë dhe tani është kthyer te ne. Unë i shikoj paraqitjet sportive, jo çfarë thuhet jashtë. Nuk jam i interesuar në atë çka ndodh jashtë”.
“Unë gjithmonë do ta them të njëjtën. Kur e shikon se çfarë i ka dhënë ai klubit dhe tifozëve… ata që vijnë në stadium e dinë se Bale është njëri nga ne dhe tifozët duhet të jenë në anën e tij”.
“Mendoj se ai mund të jetë lojtar vendimtar. Unë vetëm mendoj për këtë gjë. Nëse diçka nuk i ndodh atij, ai është shumë i rëndësishëm për ne. Kur diçka i ndodh, si lëndimet, atëherë kjo ndryshon. Unë do të llogaris në Bale”.
Bale është kritikuar që nuk është përshtatur me kulturën spanjolle, pasi që ka pasur vështirësi me gjuhën. Edhe Zidane e pranon se ky është problem.
“Nuk mendoj se Bale është më i lumtur kur luan për Uellsin sesa për Real Madridin. Ndoshta është shkaku i gjuhës, është gjëja e vetme. Ai mu duk i lumtur kur shënoi në finale të Ligës së Kampionëve dhe e bëri këtë me Real Madridin. Është vetëm shkaku i gjuhës, ai është mirë në zhveshtore”.
(Kosova Sot Online)