Ballkani fiton tri pikë të mëdha kundër Gjilanit, merr kreun e Superligës

  • 22 November 2019 - 15:21
Ballkani fiton tri pikë të mëdha kundër Gjilanit, merr kreun e Superligës

Ballkani e siguroi një fitore të madhe në ndeshjen e sotshme kundër Gjilanit, e cila përfundoi me rezultat 2:1 në stadiumin e qytetit në Suharekë, në kuadër të xhiros së 16-të të këtij sezoni të Ipko Superligës së Kosovës.

Djemtë e Ismet Munishit e pritën sot në Suharekë njërin ndër rivalët më të mëdhenj në garën për titullin e kampionit të Kosovës, Gjilanin, për derbin që e vendosi liderin e Superligës për këtë xhiro.

Ballkani arriti të kalojë në epërsi qysh në minutën e 14-të të kësaj përballjeje falë golit të shënuar nga Blend Baftiu, forma e jashtëzakonshme e të cilit në këtë sezon e ka bërë atë golashënuesin më të mirë në ligën elitare të futbollit në Kosovë.

Nëntë minuta më vonë, Ballkani e dyfishoi epërsinë falë një supergoli të shënuar nga sulmuesi Jetmir Topalli, i cili e shënoi një gol të jashtëzakonshëm duke e gjuajtur topin nga ana e djathtë e zonës së 16-metërshit në qoshen e majtë lart në portë.

Gjilani arriti të kthehet në lojë përmes një goli të shënuar pesë minuta para fundit të pjesës së parë të ndeshjes në Suharekë, përmes Gerhard Progni, i cili është golashënuesi i dytë më i mirë në ligë këtë sezon.

Pjesa e dytë nuk solli gola në Suhareka, mirëpo solli shumë dramë. Ballkani dhe Gjilani tentuan ta gjejnë golin dhe Baftiu ishte shumë afër ta shënojë të dytin e tij në këtë përballje në minutën e 54-të, mirëpo goditja e tij shkoi mbi portë.

Në minutën e 85-të të ndeshjes, trajneri i Ballkanit Ismet Munishi u ndëshkua me karton të kuq, për shkak të protestimeve të cilat sipas gjyqtarit Genc Nuza ishin të tepërta. Përderisa po dilte nga fusha, Munishi i duartrokiti tifozët e Ballkanit dhe pastaj u ul në fushë dhe filloi t’i lidhë tojat e këpucëve të tij, veprim ky që u prit me duartrokitje nga tifozët vendas.

Tri pikët e kësaj ndeshjeje patën vlerë të madhe, pasi që Ballkani tani e merr kreun e Superligës me 34 pikë të fituara nga 16 ndeshjet e para – dhjetë fitore, katër barazime dhe dy humbje.

Në anën tjetër, Gjilani bie në pozitën e dytë në tabelën e Ipko Superligës, me 31 pikë të grumbulluara nga 16 xhirot e deritanishme – dhjetë fitore, një barazim dhe pesë humbje. Këtë pozitë Gjilanit mund t’i rrëmbejë Drita këtë fundjavë, nëse e fiton ndeshjen e saj. 

(Kosova Sot Online)