Ballkani “thyen” Gjilanin dhe kryeson i vetëm, “skuqet” sërish Ismet Munishi

  • 22 November 2019 - 19:21
Ballkani “thyen” Gjilanin dhe kryeson i vetëm, “skuqet” sërish Ismet Munishi

Ballkani e ka mposhtur 2-1 Gjilanin në supersfidën që i dha start javës së 16-të të IPKO Superligës së Kosovës dhe tashmë kryeson i vetëm kampionatin në kuotën e 34 pikëve.

Në Suharekë me përkrahjen e zjarrtë të tifozëve vendas skuadra e Ismet Munishit shfrytëzoi dy momente pasigurie në prapavijën e Gjilanit duke shënuar dy gola të shpejtë në harkun e 23 minutave të para me talentin Blend Baftiu që zhbllokoi shifrat dhe sulmuesin 21-vjeçar Jetmir Topalli që dyfishoi rezultatin.

Gehard Progni riktheu Gjilanin në ndeshje me golin e tij në minutën e 37-të, por në pjesën e dytë pavarsisht përpjekjeve të të dyja skuadrave sidomos asaj të miqëve rezultati mbeti i pandryshuar. 

Traversa i tha jo golit të 3-të të Ballkanit, ndërkohë që minutat e fundit ishin një monolog i skuadrës së Mezanit në portën e Ballkanit, por fati dhe portieri kundërshtar nuk lejuan prekjen e rrjetës. Për t’u përmendur që trajneri i Ballkanit Ismet Munishi edhe njëherë tjetër u largua nga fusha me karton të kuq pasi u ndëshkua në minutën e 85-të.

Në javën e ardhshme atë të 17-të, Ballkani do të sfidojë në udhëtim Vushtrinë ndërkohë që Gjilani do të presë në shtëpi Prishtinën.

(Kosova Sot Online)