Klubi i Rashicës, i bindur se Kosova do ta arrijë finalen e play-offs për EURO 2020

  • 23 November 2019 - 09:50
Klubi i Rashicës, i bindur se Kosova do ta arrijë finalen e play-offs për EURO 2020

Klubi gjerman Werder Bremen, ku luan Milot Rashica, është shprehur i bindur që Kosova do ta mposhtë Maqedoninë dhe do ta arrijë finalen e play-offs kualifikues për EURO 2020, përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Kosova e Bernard Challandes e humbi shansin e parë për ta siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020, pasi nuk arriti të zërë vendin e parë apo të dytë në Grupin A, duke mbetur e treta, pas Anglisë dhe Çekisë, raporton Gazeta Express.

Megjithatë, Verdhekaltrit e kanë edhe një mundësi të dytë për ta zënë një vend në EURO 2020 – përmes fazës së play-offs kualifikues për Evropian, ku e zuri një vend pasi e fitoi Grupin D3 të Ligës së Kombeve.

Rivale të Kosovës në këtë play-off janë tri Kombëtaret e tjera që i fituan grupet e tyre përkatëse në Ligën D të Ligës së Kombeve – Maqedonia, Gjeorgjia dhe Bjellorusia.

Pasi që Maqedonia shfaqi formë më të mirë në grupin e vet, Kosova do të luajë si mysafire në gjysmëfinalen e play-offs. Nëse arrin ta mposhtë Maqedoninë, atëherë do të përballet në finalen e madhe me Gjeorgjinë ose Bjellorusinë për ta zënë një vend në EURO.

Këtë përballje historike Kosova do ta zhvillojë si mysafire , që gjë u vendos nga shorti që u mbajt dje në orën 12:00. Kjo bën që Kosova të mos e ketë epërsinë e të qenët vendas në asnjërën ndeshje të play-offs kualifikues për EURO.

Përkundër që s’do ta ketë epërsinë e të qenët vendas, klubi gjerman Werder Bremen, ku luan Milot Rashica, e ka bërë të qartë besimin se Kosova do ta mposhtë Maqedoninë, duke e vendosur vetëm flamurin e Kosovës te çifti finaliste.

(Kosova Sot Online )