Barcelona mposht skuadrën e fundit në ligë duke e përmbysur rezultatin

  • 23 November 2019 - 14:59
Barcelona mposht skuadrën e fundit në ligë duke e përmbysur rezultatin

Barcelona arriti të shënojë fitore me rezultat 2:1 në ndeshjen kundër Leganes, që radhitet e fundit në tabelës së La Ligës. Megjithatë, katalonasit nuk e patën të lehtë t’i marrin këto tre pikë, pasi u desh ta përmbysin rezultatin afër fundit të ndeshjes.

Liderja e La Ligës, Barcelona, e vizitoi sot në orën 13:00 Leganesin, që radhitet në pozitën e 20-të në tabelë. Megjithëse me vështirësi, Barcelona i mori nga kjo përballje tre pikët që iu nevojitën për ta mbajtur pozitën e lideres.

Skuadra e Ernesto Valverdes e mbajti 78 për qind të posedimit të topit, mirëpo dominimi i tyre nuk ishte kaq i vërejtshëm në gjuajtjet drejt portës. Përderisa Leganes i pati gjithsej nëntë goditje, katër prej të cilave drejt portës, Barcelona i pati gjithsej dhjetë, vetëm një më shumë sesa kundërshtari brenda kuadratit të portës.

Efikasiteti i Leganesit para portës së mbrojtur nga Marc-Andre ter Stegen u vërejt në minutën e 12-të të ndeshjes, kur Youssef En-Nesyri shënoi qysh me tentimin e parë të skuadrës së tij.

Barcelona arriti ta pëmbysë rezultatin gjatë pjesës së dytë. Fillimisht shënoi Luis Suarezi në minutën e 53-të, pas një harkimi të mira nga Messi, ndërsa në minutën e 79-të të ndeshjes shënoi Arturo Vidal, goli i së cilit u verifikua nga VAR-i për shkak të dyshimeve për pozitë jashtë loje.

Me këtë fitore, Barcelona e mban pozitën e parë në tabelë, me 28 pikë të grumbulluara nga 13 ndeshjet e para, tri pikë më shumë sesa Real Madridi që e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. 

(Kosova Sot Online)