Klopp: Messi më i miri, ama Van Dijk e meriton Topin e Artë

  • 25 November 2019 - 08:54
Klopp: Messi më i miri, ama Van Dijk e meriton Topin e Artë

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka vlerësuar Lionel Messin si lojtarin më të mirë të kësaj gjenerate, por ka theksuar se Virgil van Dijk e meriton ta fitojë Topin e Artë 2019.

Qendërmbrojtësi holandez i të kuqve është favorit i lehtë për ta fituar çmimin më të mirë individual, i cili do të ndahet në dhjetor, pasi u shpall Lojtari më i Mirë i Vitit i UEFA-s.

Megjithatë, Messi mbetet fuqishëm në garë për ta fituar Topin e Artë për herë të gjashtë në karrierë dhe e mposhti holandezin për Çmimin Lojtari më i Mirë i FIFA-s në shtator, duke i fituar tetë vota më shumë se ai.

Edhe pse adhurues i madh i argjentinasit, Klopp beson se Van Dijk ka luajtur më mirë se Messi gjatë sezonit të kaluar dhe e meriton më shumë këtë çmim si pasojë.

“Nëse e ndani Topin e Artë për lojtarin më të mirë të kësaj gjenerate, atëherë duhet t’ia jepni Lionel Messit gjithmonë. Kështu është”, tha Klopp.

“Ama nëse ia ndani lojtarit më të mirë të sezonit të kaluar, atëherë i takon Virgil van Dijkut. Nuk e di si funksionon saktësisht, por unë e shoh kështu”, shtoi ai.

“Cili është lojtari më i mirë nga të gjithë? Lionel. Cili është lojtari më i mirë i sezonit të kaluar? Virgil. Kështu e shoh unë”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online)